Vokshi takim online me Bordin Drejtues të Forumit të Grave të PPE: Gjykata Kushtetuese dhe liria e medias, 2 prej 15 kushteve…

Albana Vokshi takim online me Bordin Drejtues te Forumit te Grave te PPE: Gjykata Kushtetuese dhe liria e medias janë 2 prej 15 kushteve per nisjen e negociatave të Shqipërisë, thelbësore për procesin e integrimit.

Këtë javë u takuam online me Bordin Drejtues të Forumit të Grave të Partisë Popullore Europiane. Në lidhje me Shqipërinë, shqetësimi kryesor ka të bëjë me gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Respektimi nga qeveria i të dy vendimeve të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese dhe lirinë e medias konsiderohen si thelbësore për procesin e integrimit. Plotësimi dhe vënia në funksionim e Gjykatës Kushtetuese, si dhe një ligj që garanton lirinë e medias, pa mekanizma censurues, janë 2 prej 15 kushteve per nisjen e negociatave të Shqipërisë.

Përfitova nga rasti të falenderoj koleget e Partisë Popullore Europiane për mbështetjen e jashtëzakonshme të PPE-së për integrimin europian.

Theksova se rezoluta e miratuar prej Parlamentit Europian, ku kërkohet përmbushja e 15 kushteve nga ana e Shqipërisë, është realiste dhe se shqetësimet e eurodeputetëve për rikthimin e kultivimit masiv të kanabisit, shembja e Teatrit për qëllime korruptive apo vonesa të pajustifikuara në hetimin e dosjeve të vjedhjes së zgjedhjeve, 184 dhe 339, qëndrojnë plotësisht.

Në takimin e Bordit Drejtues të Forumit të Grave të PPE-së kërkova mbështetjen e vazhdueshme të vendeve të BE për Shqipërinë, pasi vendi po përballet me një krizë të thellë ekonomike. Përmenda treguesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë për rënien më të madhe ekonomike në 8 vitet e fundit, që nxjerr si faktor kyç nivelin e lartë të korrupsionit dhe konkurencën e padrejtë.

Ajo që vura në dukje si emergjencë për vendin është rotacioni politik për të ndryshuar me shpejtësi situatën pesimiste ku 1 në 2 shqiptarë duan të largohen drejt vendeve të BE.

I sigurova koleget se për këtë ndryshim sa më të shpejtë, Lidhja Demokratike e Gruas është plotësisht e përkushtuar dhe se pas një riorganizimi kapilar, që po përfundon, do t’i ofrojmë PD-së, një strukturë aktive dhe mbështetëse për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme.