Zaida Çobo dhe Ardi Veliu

Nga Erl KODRA

Shkelja e dinjitetit dhe fyerja publike që idioti i dobishëm Ardi Veliu i bën publikisht Zaida Çobos, është më e rëndë se sa dhuna e policisë ndaj djalit të saj të mitur. Gjuha e përdorur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kundër nderit dhe moralit të një gruaje tejkalon çdo normë të sjelljes njerëzore dhe kodi etik. Nëse e shikoni me vëmendje momentin kur Ardi Veliu i fton deputetet të shohin videon e marrë nga rrjetet sociale të nënë Zaidas, përveç fjalëve që thotë në adresë të saj, ai bën edhe disa gjeste me trup dhe me duar, që mund të përkthehen kështu;

“Shikojeni këtë të përdalën, nënën e këtij djalit që nuk iu bind policisë, se çfarë veprimesh bën. Kjo grua e ka të shkruar në ballë se është e pamoralshme, kurvë, nivel i ulët, vulg, me siguri e droguar, e padenjë, perverse”- janë fjalët e munguara të Ardi Veliut që thuhen me gjeste duarsh dhe lëvizje trupi. Ky është një ndër momentet më të pështira për t’u parë në atë video, më të vështira se sa fjalët që nxjerr nga goja.

Këtu nuk është fjala për nivel komunikimi, sepse për kryepolicin tonë nuk mund të flitet për gjëra të tilla, por është fjala për diskriminim të hapur publik, për shkelje nderi dhe dinjiteti, të papranueshme për çdo shoqëri. Një fyerje e tillë është e dënueshme nga ligjet e vendit, por edhe nga ligjet ndërkombëtare.

Kushtetuta e Shqipërisë:

“Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.”

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut:

“Njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”

“Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër.”

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut:

“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”

Kryepolici i Shqipërisë Ardi Veliu, publikisht në mediat kryesore të vendit, përballë deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë, me zë, figurë dhe gjeste, qëllimisht, fyen nderin dhe dinjitetin e një gruaje dhe djalit të saj të mitur, nisur nga arsye seksiste, origjine shoqërore dhe shkaqesh politike.

Kaq do të mjaftonte që çdo Gjykatë e planetit të shpallte fajtor Ardi Veliun.

Zaida Çobo, unë e di; të gjithë shqiptarët e dinë se ti gjendesh nën presion, në format më të rënda. Unë e di se ti nuk je takuar qetësisht dhe me vullnet të lirë me Ardi Veliun.

Të siguroj se ti ke mirëkuptimin e thellë të shqiptarëve.