Vuçiç do të marrë bekimin e Putinit para takimit me Trump

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohet të shtunën në Uashington me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe me të dërguarin e tij për Ballkanin, Richard Grenell, shkruan gazeta amerikane New York Times.

Sipas saj, shkruan REL, këta zyrtarë do të bisedojnë për një nismë që udhëheq SHBA-ja për marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.

Përndryshe, të shtunën, më 27 janar, në Shtëpinë e Bardhë është paralajmëruar edhe takimi midis udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, nën organizimin e Grenellit.

Takimi është thirrur pasi Grenell ka thënë se ka marrë garanci se të dyja palët janë pajtuar për të pezulluar përkohësisht fushatën për tërheqjen e njohjeve për Kosovën dhe për përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Vetë Grenell, më 15 qershor, ka shkruar në Twitter se nëse ndonjëra palë është e pakënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ajo “do të kthehet në status quo, pasi të kthehet nga Uashingtoni”.

Në tekstin kushtuar zgjedhjeve në Serbi, New York Times shkruan të martën se presidenti i Serbisë, viteve të fundit, “ka luftuar me sukses për mbështetjen e fuqive konkurruese në botë – duke mbajtur marrëdhënie të fuqishme me Rusinë dhe duke i forcuar lidhjet me Kinën, derisa Serbinë e ka pozicionuar si anëtare të mundshme të BE-së dhe bashkëbiseduese të SHBA-së”.

Të hënën, Vuçiq bisedoi në Beograd edhe me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Pas bisedimeve, Lajçak tha se pret që negociatat Kosovë-Serbi të rinisin në korrik, në Bruksel.

Në lidhje me informacionet jozyrtare që ka marrë edhe Radio Evropa e Lirë, se më 25 qershor, në Bruksel, do të rinisë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, Vuçiq ka thënë se nuk ka marrëveshje të tillë, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që pala serbe të udhëtojë në Bruksel.

New York Times shkruan se para udhëtimit për në Uashington, Vuçiq do të udhëtojë për në Moskë, ku do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin, i cili “beson se çdo marrëveshje për Kosovën duhet të ketë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilin Rusia ka të drejtën e vetos”.

Bekim Çollaku, shef i kabinetit dhe këshilltari kryesor i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tema kryesore të takimit në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor do të jenë zgjidhja e problemeve ekonomike, heqja e barrierave tregtare, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, si dhe investimet në infrastrukturën rajonale.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian, është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Kosova u ka vënë taksë 100 për qind mallrave të importuara nga Serbia, për shkak të fushatës së saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Taksën që e ka vënë Qeveria e Ramush Haradinajt e ka zëvendësuar më 1 prill me masa reciproke tregtare ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë kundër masave ndaj Serbisë, duke thënë se ato e pengojnë dialogun midis palëve.

Me largimin e Kurtit dhe ardhjen e kryeministrit të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, Serbisë i janë hequr të gjitha pengesat tregtare.