Tjetër reagim i fortë nga Gjermania ndaj Ramës: Plotësoni 15 kushtet, hetoni ata që blenë votat

Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler, deklaron se Grupi i Partive Popullore Europiane vlerëson arritjen e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore midis qeverisë dhe opozitës në Shqipëri.

Grupi i Partive Popullore Europiane vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE. Ne vlerësojmë marrëveshjen midis qeverisë dhe opozitës në Shqipëri për një pjesë të rëndësishme të Reformës si pjesë e ligjit zgjedhor në përputhje me standardet e BE dhe OSBE. Reforma duhet të përfundohet në këtë frymë dhe, mbi të gjitha, të zbatohet me mirëbesim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale. Zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme! Kjo është thelbësore për demokracinë në Shqipëri, por gjithashtu plotëson dy kushte të BE-së për fillimin e negociatave të pranimit.

Ne gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve që të punojnë drejt përmbushjes së të gjitha 15 kushteve që Shqipëria duhet të përmbushë para se të nisin negociatat e pranimit.

Këtu theksojmë shfuqizimin e legjislacionit që kërcënon lirinë e shprehjes dhe nisjen e procedurës penale kundër atyre që akuzohen për blerjen e votave në zgjedhjet e kaluara.