Studentja në Elbasan infektohet me Covid-19, kishte shkuar në universitet për sezonin e provimeve

Një studente ka rezultuar pozitive më COVD-19 në Elbasan. Burime bëjnë me dije se studentja është nga qyteti i Lushnjes dhe kishte shkuar në Elbasan për sezonin e provimeve.

Mësohet se 22 vjeçarja është vetëkarantinuar në një banesë me qira në qytetin e Elbasanit.

Kujtojmë se ditën e sotme janë konfirmuar pozitiv me COVID-19, 52 raste të reja, me numrin më të madh të të prekurve në Tiranë. Lajm i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 36 qytetarë, ndërsa në spitalin Infektiv është një person më pak i shtruar nga dje, 81 pacientë.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 22 të prekur në Tiranë, 9 në Vlorë, 7 në Krujë, 5 në Kurbin, 2 në Fier dhe nga 1 rast në Kamëz, Kavajë, Lezhë, Pukë, Rrogozhinë Delvinë dhe Tepelenë.

Ministria apelon qytetarët për respektimin e rregullave të higjenës dhe distancimit social, si dhe përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura.