Skandali/ Sajoi krizën e plehrave në Durrës për të zhvatur 100 milionë euro të tjera për inceneratorin e vet

Edhe pse vendi është virtualisht në një situatë emergjence shëndetësore për shkak të pandemisë së COVID-19, rrugët e Durrësit janë të tejmbushura me mbeturina urbane prej gati një jave dhe ajri është ndotur nga era e rëndë e plehrave.

“Era e plehrave nuk durohet, se nuk i pastrojnë kazanët prej ditësh dhe ne pensionistët nuk qëndrojmë dot në qoshen tonë,” ankohet 70-vjeçari Flamur Bakiu, i cili shton se maska mjekësore që mban mbi hundë për të parandaluar infektimin nga koronavirusi e bezdis nga vapa. “Nuk mund të qëndroj dot në këtë anë rruge, jam i moshuar dhe më përzihet nga kjo era e keqe e plehrave,” shton Bakiu.

Mbyllja e sheshit të depozitimit të mbetjeve në Porto Romano, të cilin qeveria shqiptare synon ta transformojë në një park urban ekologjik falë një investimi prej 15 milionë eurosh, e ka lënë bashkinë e Durrësit pa një alternativë të vlefshme për depozitimin e plehrave.

Një përpjekje për dërgimin e mbetjeve të Durrësit në fshatrat Sukth dhe Manëz u prit me protesta nga banorët vendas, ndërsa negociatat për t’i transportuar plehrat drejt landfillit të Sharrës, ku një kompani koncesionare po ndërton një incenerator me kapacitet të lartë përpunues, nuk kanë korrur rezultet prej dy vjetësh për shkak të kostove të kripura të incenerimit dhe të transportit.

Kryeministri Edi Rama premtoi gjatë një interviste televizive se kriza e mbetjeve në Durrës së shpejti do të gjejë zgjidhje, falë një marrëveshjeje midis kompanisë koncesionare të inceneratorit në Sharrë dhe bashkisë së qytetit bregdetar.

“Këto ditë që flasim po bëhet një proces finalizimi e negocimi me Bashkinë e Durrësit dhe agjencinë përkatëse shtetërore në këtë fushë dhe brenda javës do të kemi një marrëveshje përfundimtare për të lëvizur mbetjet drejt landfillit të Sharrës në Tiranë,” tha Rama në emisionin “Open” në Top Channel.

Kryeministri premtoi se situata do të stabilizohej brenda pak ditësh, duke pranuar se bashkia e Durrësit kishte ngurruar të firmoste.

“Na u desh që të rrisnim presionin mbi bashkinë e Durrësit për këtë marrëveshje të rëndësishme,” tha Rama. “Edhe bashkia në Durrës kishte ngurrim për shkak të mbulimit të kostos së transportit,” shtoi ai.

Megjithatë, kryeministri nuk sqaroi se nga do dalin fondet për kostot e e incenerimit në Sharrë, ku kompania koncesionare “Integrated Energy” B.V SPV përfiton një tarifë fikse të barabartë me 30 euro për ton, e cila indeksohet vit pas viti sipas inflacionit.

Sipas llogaritjeve të BIRN, vetëm kontrata e depozitimit të mbetjeve të Durrësit do t’i sillte kompanisë Integrated Energy më shumë se 3 milionë euro çdo vit dhe të paktën 100 milionë euro gjatë gjithë kohështrirjes së kontratës koncesionare – kosto që duhet të financohen ose nëpërmjet tarifës së pastrimit të bashkisë së Durrësit ose nga pagesat përmes buxhetit të shtetit.

E pyetur nga BIRN, bashkia e Durrësit tha nëpërmjet një zëdhënësi se po vazhdonte bisedimet me qeverinë shqiptare për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për depozitimin e mbetjeve, ndërsa Këshilli i Ministrave nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

“Bashkia e Durrësit është në bisedime me qeverinë shqiptare për të zgjidhur përfundimisht problemin se ku do të depozitohen mbeturinat e bashkisë së Durrësit,” tha kjo e fundit.

“Po kështu, bashkia e Durrësit i ka kërkuar Ministrisë së Financave një fond të posaçëm që do të bëjë të mundur depozitimin e mbetjeve në vendpozitimin më të afërt me Durrësin,” shtoi ajo.

Problemi i venddepozitimit të mbetjeve për bashkinë e Durrësit e ka origjinën në korrik 2018, kur Këshilli Bashkiak shpalli ‘emergjencës mjedisore’ dhe mandatoi ish-kryebashkiakun socialist Vangjush Dako për të negociuar një kontratë me kompaninë koncesionare të inceneratorit të Sharrës për të depozituar mbetjet e qytetit.

Dy vjet më vonë, Dako nuk është më kryebashkiak, por bashkia e Durrësit dhe qeveria vazhdojnë të negociojnë për kostot e evadimit të mbetjeve, ndërkohë që opozita ngre zërin për keqadministrimin e qytetit.

“Degradimi i Durrësit ka filluar që në vitin 2007, kur në krye të bashkisë u vu Vangjush Dako, së bashku me të dhe mafia e krimit,” deklaroi në një konferencë për shtyp, Ferdinand Xhaferri – kreu lokal i Partisë Demokratike në opozitë, i cili 13-vjet më parë humbi zgjedhjet ndaj ish-kryebashkiakut kontrovers socialist, të cilit i ndalohet hyrja në SHBA nga Departamenti i Shtetit për përfshirje në ‘korrupsion masiv’.

Nga të gjitha dështimet e bashkisë, të cilat i kemi shprehur vazhdimisht, pastrimi i qytetit apo ‘mospastrimi” i qytetit është dështimi më i madh,” shtoi ai.

Pas ardhjes në pushtet të qeverisë së kryeministrit Edi Rama në vitin 2013, strategjia e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri ndryshoi rrënjësisht, nga politika që nxisnin riciklimin në politika që favorizojnë incenerimin.

Qeveria shqiptare lidhi tre marrëveshje koncesionare për ndërtimin e tre inceneratorëve, një në Elbasan, një në Fier dhe një tjetër në Tiranë; të treja të lidhura me administratorin misterioz Klodian Zoto dhe një seri kompanish të regjistruara në Mbretërinë e Holandës, një vend i Bashkimit Europian ku mund të regjistrohen lehtë kompani guaskë.

Sipas një raporti auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, vetëm kontrata koncesionare për ndërtimin dhe inceneremin e mbetjeve në Tiranë shkon në 370 milionë euro.

Në qoftëse kësaj kontratë do t’i shtohej dhe incenerimi i mbetjeve të bashkisë Durrës – sipas përllogaritjeve të BIRN të bazuara në tarifën e koncesionarit prej 30 eurosh për ton dhe sasinë e mbetjeve që prodhohen çdo vit nga kjo bashki, vlera e koncesionit të Sharrës rritet me të paktën 100 milionë euro.

Nëse kostove të lidhura me incenerimin e mbetjeve të Durrësit dhe Tiranës i shtohen edhe kostot e ndërtimit të inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, kompanitë e lidhura me Klodian Zoton priten të përfitojnë një vlerë të përafërt me 500 milionë euro në 30 vitet e ardhshme nëpërmjet taksave dhe tarifave të taksapaguesve shqiptarë.

Kreu vendor i Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferri e lidh ndotjen e qytetit nga plehrat edhe me planifikimin e keq të investimit të parkut urban në fushën e depozitimit të mbetjeve në Porto Romano.

“Është bërë një tender prej 15 milionë euro për ta kthyer fushën ku digjeshin mbetjet në Porto Romano në një Eco-Park,” u tha ai gazetarëve të hënën. “Ndërsa janë lëvruar paratë për të ndërtuar Eco Parkun, nuk ka para për të hequr mbetjet e shpërndara në fillim të sezonit turistik”, shtoi ai.

Partia Demokratike ka mbështetur dhe protestat e banorëve të Manzës kundër depozitimit të mbetjeve urbane të Durrësit.

“ Bashkia në vend që të zgjidhte problemin, kërkoi vetëm që ta spostonte atë, duke i çuar mbetjet në Manëz, duke shkaktuar dhe atje ndotje,” përfundoi Xhaferri.

Ndërkohë, tejmbushja e kontenierëve në Durrës ka ngritur alarmin midis qytetarëve dhe aktivistëve mjedisorë në Durrës.

Magdalena Cara nga organizata mjedisore “Eco mjedisi” e cilëson si një situatë e paprecedentë.

“Ngado që hedh këmbën, shikon vetëm plehra dhe rritja e temperaturave e bën çështjen dhe më problematike, pasi ndihet era e keqe nëpër rrugë,” tha Cara, e cila shtoi se kjo situatë vjen në prag të sezonit turistik dhe pas krizës së pandemisë së COVID-19 dhe tërmetit të 26 nëntorit.

“Fundjava risolli tiranasit në Durrës si për fundjavë para tërmetit dhe COVID-19, por pamja që ofron qyteti nuk është e duhura, ndaj dhe si qytetarë kjo pjesë na dhëmb,” shtoi ajo.

Edhe për pensionistin Flamur Bakiu, emergjenca mjedisore e sjellë nga mbetjet është e tepërt për Durrësin, duke marrë në konsideratë që qyteti bregdetar është goditur gjatë vitit të fundit nga kriza të njëpasnjëshme.

“Frika nga tërmeti akoma nuk na kishte ikur, kur doli pandemia. U kyçëm brenda shtëpive për javë të tëra. Tani që po dalim, mirë maskat që s’i durojmë dot se të mbysin nga vapa, por duhet t’i mbajmë se jemi pleq, po erën e plehrave përse duhet ta durojmë,” tha 70-vjeçari.

“Durrësin, vetëm Zoti mund ta ndihmojmë. Nuk po gjejmë qetësi, siguri, nuk jemi më të sigurt këtu,” përfundoi ai./BIRN