Shkrimi i fortë në gazetën italiane: Ja si funksionon ortakëria mafie-pushtet në Shqipëri

Një shkrim i gazetarit të njohur italian që raporton prej shumë vitesh për krimin e organizuar, Gaetano Campione, botuar ditën e djeshme te `La Gazzetta del Mezzogiorno`, mund të përdoret pa frikë si manual për strukturën e SPAK në Shqipëri.

Reporteri Campione në artikullin kushtuar mafies shqiptare publikon për herë të parë një të dhënë të INTERPOL, për vendin që ajo zë në shkallaren e krimit të organizuar në rang global.

‘Besueshmëria në botën e krimit është e barabartë me licencën e autoritetit. Bëhet ekzaktësisht ajo që është e thënë të bëhet, besueshmëria dhe prestigji juaj do të përkthehen në një udhëheqje të njohur, me qëllim kontrollimin e territorit. Ajo shqiptare konsiderohet mafia e nëntë ndërkombëtare në listën e Interpol’, bën një parantezë autori i shkrimit.

Pas kësaj ai na shpalos një të vërtetët që shumica e shqiptarëve që jetojnë këtu e dinë, por nga pushteti mohohet me anë të një propaganda intensive: Mafia shqiptare është rritur aq shumë, sa që tani po ushqen dhe po financon lobet e pushtetit.

Pas këtij konstatimi gazetari i njohur italian në pak fjalë zbërthen edhe skemën e ortakërisë  mafia-pushtet, e cila ka kapur në rrjet votën, qeverinë, financat,  ekonominë, sistemin dhe gjithçka tjetër në Shqipëri.

‘Sistemi vetë-ushqehet: niveli politik ofron mbrojtje ndaj klaneve, ato kthehen me para, vota dhe fuqi. Kjo krijon një lloj pakti shoqëror i cili garanton si aktivitetet e paligjshme, ashtu edhe nomenklaturën. Bëhet fjalë për vendin më të korruptuar në Ballkan, sipas Transparecy International’, tregon për Shqipërinë Gaetano Campione.

Pas këtyre konstatimeve të cilat në shkrim shoqërohen me fakte të shumta, autori I shkrimit paralajmëron se Shqipëria është shumë afër rrezikut që shndërrohet në një ‘Tortoga’ I Adriatikut apo një Meksikë e Re; pra një `Narco-State` në mes të Europës.

‘Rreziku, shumë konkret, është që përkundër përpjekjeve, Shqipëria të bëhet një lloj ‘Tortuga’ i Adriatikut, një titull i përdorur në vitet e arta të kontrabandës së cigareve në Mal të Zi, pasi tashmë është një qendër për trafikimin e Oktapodit të botës së nëntokës: armë, qenie njerëzore, por mbi të gjitha droga. Për të favorizuar disi këtë evolucion negativ, ekziston edhe mungesa e vëmendjes institucionale ndërkombëtare ndaj asaj që po ndodh në anën tjetër të kanalit të Otrantos.

Mutacioni gjenetik i krimit shqiptar, që është tani në gjendje të merret drejtpërdrejt me kolumbianët, turqit dhe italianët, bën që më shumë se një ekspert të fillojë të mendojë për një Narco-State si modelet e Amerikës së Jugut. Një Meksikë e Re që konturohet duke parë degëzimin e thellë të tentakulave në strukturën ekonomike, sociale dhe politike të vendit të shqiponjave’, shkruan mes të tjerave gazetari në artikullin në fjalë.