Shefja e Departamentit të Letërsisë: As unë nuk e di çfarë bëri Turi! Ky test ka destinuar dështimin e vet

Provimi i testit të Letërsisë është kthyer në një debat ditët e fundit, ndërsa mënyra e hartimit të tij ngriti në protestë edhe vetë maturantët. Për të folur për këtë situatë ishte në studion e Abc News, shefja e Departamentit të Letërsisë në Univerisitetin e Tiranës, Lili Sula.

Ajo u shpreh mes të tjerash se testi është hartuar në atë mënyrë jo për të parë sa janë përgatitur maturantët, por për të parë sa nuk dinë. Sipas saj duhet të dalë menjëherë çelësi i përgjigjeve, ndërsa shton se ky test ka destinuar dështimin e vet.

“Kam qenë në pritje që të dalë testi zyrtarisht për të mbajtur qëndrim. Tashmë është kthyer në fenomen që provimi i Maturës Shtetërore vit pas viti ka probleme. Unë theksoj mbështetjen time. Nuk është thjesht nota, por fyerja që u bëhet atyre nxënësve. Një test që bëhet jashtë normave. Është një test që e ka të destinuar dështimin e vet dhe kapjen e maturantëve në kurth”.

“Çelësi nuk del se vetë hartuesit e çelësit janë në dilemë për të vendosur cilat kanë qenë përgjigjet e sakta. Unë e di që një pjesë të alternativave janë me mëdyshje”.

“Prej vitesh e kam theksuar se nxënësit dhe studentët janë shumë të mirë, kanë një artikulim mendimi të jashtëzakonshëm. Unë jam e bindur se ka. Një nxënës shumë i mirë zhgënjehet, i humbet besimi për të vijuar studimet. Por njohuritë e tij janë asgjë kur testi është me nivel vështirësie”, u shpreh ajo.

Më tej Sula u ndal në pyetjen që i ka munduar të gjithë dhe jo vetëm maturantët, atë të Turit.  Ajo thekson se edhe vetë nuk di të japë një përgjigje, pasi i duken të gjitha të sakta. Ndërkohë që nënvizon se alternativat nuk duhet të fusin në grackë nxënësit.

“Unë kam idenë se letërsia e vërtetë është subjektive. Por mënyra e të kontrolluarit të dijeve nuk duhet të jetë subjektive. Edhe pyetjen e parë të Lasgushit nuk e gjej dot. Pyes kolegët edhe ata ngrenë supet. Të kontrollojmë sa dinë maturantët dhe jo sa nuk dinë”. 

“Alternativat se si përfundon aksioni i Turit janë të vërteta. Unë  nuk e di se cila mund të jetë alternativa e saktë. Unë mund t’i zgjidhja të katërta. Alternativat nuk mund të jenë grackë, nuk mund të diktosh përfundimin, jo ato janë të gjitha të sakta. Nxënësi ka të drejtë të ketë lirinë e tij në raportin me artin”, u shpreh Sula.