SHBA drejt një bumi të ri ekonomik, 10 milionë vende të reja pune në Qershor

Një ngritje e mahnitshme në listat e pagave gjatë muajit maj ka ndezur shpresat se rënia ekonomike mund të mos jetë aq e keqe sa dukej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekspertët besojnë se së shpejti punëtorët do të rikthehen në punë, e rrjedhimisht ekonomia do të rikuperohet gjerësisht.

Fillimisht ekspertët besonin se në muajin maj SHBA do të humbte 8 milionë vende pune, por në vend të kësaj, në Amerikë u krijuan 2.5 milionë vende të reja punë.

Të dhënat e tanishme “sugjerojnë që fitimet e majit janë vetëm fillimi “, tha Tom Porcelli, shefi ekonomist amerikan në ‘RBC Capital Markets’.

“Rruga e rimëkëmbjes sugjeron një qershor ku priten rreth 10 milionë vende të reja pune”, shton ai, raporton CNBC.

Por pse erdhi kjo?

Së pari, financimi i qeverisë ndihmoi në zbutjen e një vale papunësie të përkohshme që përndryshe do të ishte shumë i ashpër. Pastaj, shtetet dhe qytetet u rihapën më shpejt sesa parashikohej.

Së fundmi, ekonomia amerikane, e tregoi veten të qëndrueshme dhe me baza të forta të tregut të punës.