Raporti i BB: Bizneset në Shqipëri, me pesimistet në rajon

Efektet negative të pandemisë Covid e kanë ndikuar mbarë globin, por bizneset e Shqipërisë dhe Bosnjës janë me pesimistët në rajon për të ardhmen, sipas një anketimi me bazë krahasuese të Bankës Botërore.

Anketa ka gjetur se 80 për qind e kompanive në Serbi dhe në Maqedoni mendojnë se ndikimi i pandemisë Covid do të zhduket brenda tre muajve, por në Shqipëri dhe Bosnjë vetëm 50 për qind e bizneseve mendojnë kështu.

Sipas të dhënave nga sondazhi të mbledhura gjatë krizës, të paktën 50 për qind e kompanive tregojnë se secili vend ishte detyruar të mbyllte aktivitetin së paku pjesërisht dhe biznesi ishte minimal për ato që mbetën hapur. Bizneset e vogla ishin më shumë të prekura.

Industria e shërbimeve dhe turizmit do përjetojnë ndikimin më të rëndë edhe në vijim sesa pjesa tjetër e ekonomisë.

Pjesa më e madhe kompanive në rajon kanë mundur të përballojnë efektet negative të krizës pa i shkurtuar punonjësit. Por një pakicë e tyre ka qenë e detyruar të ndërmarrë këtë haps. Në Serbi 5 për qind e kompanive ka larguar punonjës nga puna, në Shqipëri 11 për qind e kompanive e kanë ndërmarrë këtë hap, në Maqedoninë e Veriut 19,8 për qind dhe në Kosovë 29,2 për qind e kompanive ka pushuar punonjësit.

Kriza e Covid do të ndikojë më së shumti sektorin e turizmit dhe shërbimeve në Shqipëri së bashku me veshjet dhe fasonin. Kriza do të ndikojë kërkesën për mallra dhe shërbime në Shqipëri, duke dëmtuar eksportet e veshjeve nga fabrikat shqiptare.

Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka një peshë të lartë në punësim.

Sipas gjetjeve të Bankës Botërore, rreth 30% e punonjësve kanë qenë të punësuar në kompani që janë mbyllur nga kriza e Covid-19, kryesisht shërbime, ndërsa 14.7% janë në aktivitete që janë përballur me kërkesë të ulët si rrjedhojë e situatës, kryesisht në industrinë tekstile e këpucë (45% në total).

Përqindja e punonjësve të prekur është më e larta në rajon, si në ndërmarrjet e mbyllura ashtu dhe në ato me kërkesë të ndrydhur. Në Mal të Zi, psh, nga mbyllja janë prekur 23.4% e punonjësve, në Maqedoni 16% dhe në Serbi 7.8%.

Fatura e pagave në risk për këta punonjës të prekur është 290 milionë euro për punonjësit në aktivitetet e mbyllura dhe 167 mln euro për ata në bizneset e përballuara me rënie kërkese.

Banka Botërore raporton se në total në vit, fatura e pagave në rrezik llogaritet në rreth 38 përqind të totalit të pagave, ose 459 milionë euro, nga 1.2 miliardë euro që është totali i pagave (llogaritë janë bërë për të dhënat e vitit 2016). Nga kjo, fatura e pagave në shërbime është 290 milionë euro.