Rama, gati t’i rrisë me 20% taksën biznesit të madh

Ministria e Financave po merr në konsideratë që të rrisë tatimfitimin për bizneset e mëdha në 17% ose 20%, nga 15% që është aktualisht.

“Monitor” ka mësuar se grupi i punës, i krijuar për heqjen e taksave për biznesin e vogël (tatimfitimit dhe TVSH-së) po merr në konsideratë edhe alternativën për rritjen e tatimfitimit për të mëdhenjtë, si një mënyrë për të kompensuar humbjen e të ardhurave në buxhet, sidomos nga heqja nga TVSH e më shumë se gjysmës së bizneseve. Por nuk ka ende një vendim konkret.

Më herët, kryeministri Rama ka bërë të ditur që është marrë vendimi që tatimfitimi për biznesin e vogël do të jetë zero për të gjithë fashën deri në vitin 2029. Deri tani, bizneset me qarkullim vjetor nga 0 në 5 milionë lekë paguajnë zero tatimfitim, ndërsa nga 5 në 14 milionë lekë kanë tatim të thjeshtuar prej 5%. Në vend operojnë rreth 91 mijë subjekte të vogla, dhe gati 80% e tyre deklarojnë më pak se 5 milionë lekë, dhe si rrjedhojë janë të përjashtuar edhe aktualisht nga tatimfitimi. Ndaj kjo lëvizje nuk pritet të ketë ndonjë efekt të madh në buxhet.

Rama ka deklaruar se po shqyrtohet dhe mundësia e përjashtimit të biznesit të vogël (deri 14 milionë lekë) nga TVSH, vendim që nuk është marrë akoma.

Ky vendim do të kishte efekt më të ndjeshëm në buxhet, në raport me heqjen e tatimfitimit.

Aktualisht, bizneset mbi 2 milionë lekë qarkullim vjetor janë të përfshira në TVSH. Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, janë rreth 32.5 mijë subjekte të vogla që janë të përfshirë në skemën e TVSH-së, të cilët nëse miratohet ky vendim, do të dalin nga skema e TVSH-së. Subjektet e vogla të përfshira në TVSH përbëjnë gati 59% të numrit të tatimpaguesve gjithsej të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, sipas informacionit zyrtar të tatimeve.

Pragu i qarkullimit vjetor për përfshirjen në TVSH u ul dy vite më parë, nga 5 në 2 milionë lekë. Ky vendim u kundërshtua hapur në atë kohë nga Shoqata e Biznesit të Vogël, e cila shqetësohej për efektet që do sillte të bizneset barra e shtuar e taksës dhe kostove të tjera administrative, ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ky i fundit theksoi disa herë se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Në fakt, në 2019-n, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me 18.1% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare të financave.

Deri në fund të vitit 2019, në vend kishte 113,829 tatimpagues gjithsej, sipas regjistrit të tatimeve (Në këtë shifer nuk janë përfshire 44,667 Fermerë).

Nga këta, 91 mijë janë biznese të vogla dhe 22.7 mijë janë tatimpagues të mëdhenj.

Nëse realizohet, kjo do të ishte rritja e dytë e tatimfitimit

Në fillim të vitit 2013, qeveria vendosi rritjen e tatimFitimit për biznesin e madh nga 10 në 15%. Të ardhurat nga ky zë ishin 2.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2019-n, nga 1% në vitin 2013.

Në vitin 2019, bizneset paguan 36.6 miliardë lekë tatimfitim, ose 12% të totalit të të ardhurave nga tatimet e doganat, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave.

Ndërsa TVSH është zëri kryesor i të ardhurave në buxhet, i cili siguroi 43% të totalit të të hyrave tatimore e doganore në 2019-n.

TATIMPAGUESIT, fundi 2019

113,829 tatimpagues gjithsej

55,243 tatimpagues gjithsej të TVSH-së

-nga këta 32,509 jane Tp. te biznesit të vogël

Biznese të vogla Gjithsej 91,095

Biznese të mëdha 22,734