Qeveria asnjë lehtësim për turizmin! PD Vlorë thirrje turistëve: Ejani pushoni në bregdetin tonë!

Reagimi i Degës së PD Vlorë

Tallavaja (e fundit) me turizmin në Vlorë!

Qytetarë të Vlorës!
Kemi hyrë në vitin e tetë e të fundit të Rilindjes. Me siguri që ende s’i kemi parë të gjitha. Por, sadoqë nuk kemi asnjë dyshim mbi aftësinë e këtij grupi për të bërë të pabëra, ato që shohin, dëgjojnë e provojnë përditë vlonjatët, janë ekzemplarë të rrallë të një çomleku të prishur pushteti ku pleksen padija, grykësia, ç’organizimi e mospërfillja për jetën e të qeverisurve prej tyre.

Dëshmi e këtij mishmashi me kokë pa tru, me gjymtyrë që s’di t’i përdorë, por i vërtit kuturu, është struktura e shërbimeve të një administrate që huqin më të zakonshëm ka zhvatjen.

Ja dhe e fundit nga ky han, provë e një mendësie që mundësitë për punë e biznes të qytetarëve, i sheh si djathin për minjtë, të fshehura në këndin e një labirinti procedurash të lajthitura.

Me VKM Nr. 424, datë 27.05.2020, “Për një shtesë në Vendimin Nr. 171, datë 27. 3. 2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores, për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, vështirësive të një viti të jashtëzakonshëm për bizneset u shtohen edhe ca kleçka ekstra.

Operatorët turistikë i nënshtrohen një procesi aplikimi, që përsëritet çdo vit. Ndërkohë, shumica e tyre kanë vite që ushtrojnë këtë aktivitet, ndaj për ta është plotësisht e mundur shmangia e sorrollatjeve sfilitëse e absurde.

Sita thurret hollë me VKM nr. 424, të datës 27.05.2020, që parashikon dy komisione (!) për verifikimin e dokumentacionit dhe procedurave të aplikimit për stacion plazhi, çka e shton artificialisht barrën proceduriale dhe zgjat kohën e nevojshme për aplikim.
Sita tirret edhe më hollë në vijim, me një organizëm të spërdredhur, të quajtur KMST (Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik), të kryesuar nga Ministri i Turizmit, me përfaqësues nga 6 ministri të tjera dhe që ka një bisht tjetër, të quajtur GTSHA (Grupi Teknik i Shqyrtimit të Aplikimeve), me detyrë shqyrtimin e aplikimeve, kontrollin dhe mbarëvajtjen gjatë sezonit turistik.

Si bisht i bishtit të këtij binishi të trashë shfaqet kryetari i GTSHA-së, që është Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Kjo e fundit ka lugën e saj në sahan me 4 anëtarë të tjerë nga ministria e Turizmit dhe e Mjedisit dhe nga ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale.

Fundi i këtij kalvari janë tarifat mbi shfrytëzimin e hapësirës publike që duhet të parapaguhen (!) e fill fatura të ngarkohet në platformën e-Albania!

Të mendosh që, çdo vit, për faturat ka pasur mundësi pagese pas sezonit.

Asnjë lehtësim! Asnjë vëmendje!
Zero mirëkuptim për vështirësitë e bizneseve në një vit “lufte”.

Pushteti lokal fryn sytë dhe i merret goja: premtoi taksë të përgjysmuar, megjithëse me çelësat e kashtës në dorë. Pret lëmoshën nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit për një sezon që nuk do të zgjasë në të vërtetë as një muaj, por që do të taksohet deri më 15 nëntor, pra për 6 muaj, e jo për tri, siç u ngrefosën në krye.

Ja ç’e pret industrinë kryesore të Vlorës në vitin e pandemisë: kohë e humbur e zvarritje nëpër procedura absurde, kaçakë dhe kçk-istë të administratës me lugë në brez, kërbaç policor për çdo çadër në plazhet gërmadha, taksa të larta dhe të parapaguara, çmime të rritura dhe cilësi e ulët shërbimesh, faliment.

Kjo është orkestra që luan tallavanë “Eja në Vlorë”.
Hipokrizia e zakonshme e Rilindjes!

Në mbështetje të bizneseve e operatorëve turistikë të Vlorës, të njerëzve e familjeve që e kanë lidhur jetesën me këtë veprimtari, Partia Demokratike Vlorë, dënon këtë rrjet pushteti me thelb zhvatjen, dhunën e mospërfilljen ndaj Vlorës, urrejtjen për biznezin dhe lirinë e zhvillimit ekonomik.

Partia Demokratike Vlorë, i bën thirrje çdo vlonjati e çdo shqiptari, çdokujt që ka mundësi e që ka planifikuar pushime:
Ejani në Vlorë!
Pushoni në bregdetin e Vlorës!
Sa më shumë në numër!
Përtej kësaj barrikade të pushtetit, të ndihmojmë mbijetesën e turizmit!