Qëllimi i pabesisë ndaj maturantëve, mbyllja e dyerve të universiteteve!

Nga Sali BERISHA

Edvin Kristaq Gënjeshtra përdori armën më të keqe, më amorale të njeriut, pabesinë, për të goditur në provimin e Maturës Shtetërore, duke iu ulur sa më shumë notën dhe për të mbyllur kështu dyert e universiteteve të vendit për dhjetëramijëra maturantë.
Në këtë provim, për realizimin e këtij qëllimi çnjerëzor dhe antikombëtar, u shkelën pabesisht rregulloret e shpallura për provimin e Gjuhës dhe Letërsisë.

Po me qëllimin e vetëm që të ulen në maksimum shanset e suksesit, u zgjodhën kurthe të tjera me kuptime falso fjalësh, u shmangën provat paraprake dhe një pjesë e mirë e nxënësve u përjashtuan nga mundësia e ndjekjes së mësimeve online, sepse interneti falas i Edvinit ishte vetëm gënjeshtra e tij e radhës.

Edvin Kristaq Xhahili i ka shpallur luftë rinisë shqiptare. Ai do t’ju shkatërrojë atyre me çdo kusht ëndrrën më të bukur, atë universitare dhe në zbatim të platformës së Çubrilloviçit, t’i detyrojë ata të largohen sa më shumë nga Shqipëria.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim çnjerëzor dhe antikombëtar të Zografit bis dhe mbështetur plotësisht kërkesat e maturantëve të prerë në besë nga Ndrikull Pabesia me urdhër të bosit të saj, kërkoj plotësimin e menjëhershëm të tyre.

Këtu më poshtë keni mesazhin prekës të një maturanti dixhital.

Përshëndetje.

Mendoj se jeni në dijeni për atë çfarë iu është bërë maturantëve dje, çdo gjë jashtë formatit ku ne jemi mësuar të kemi provime, për më tepër zonja ministre është shprehur që do të kishte lehtësira dhe fut në provim autorin më të vështirë për t’u analizuar.

Nuk është pak për të thënë që hajt se veç 1 provim është, ai provim dje më dogji ëndrrën për shkollën e lartë, gjithmonë ëndërroja për mjekësinë, mesatare 9.83 dhe vetëm lëndët shoqërore e Gjuha e huaj e dytë më kanë ulur nga 10.00 .

Provimi i djeshëm më hodhi poshtë jo vetëm mua, po gjithe maturantëve në Shqipëri, punën e 12 vjetëve.

Po na detyrojnë të largohemi nga vendi, të lëmë familjen e jetën këtu vetëm se janë të papërgjegjshëm.

Ministrja duhet ta dijë dhe të jetë e ndërgjegjshme se as 10% e mësuesve të letërsisë që ka, nuk ia del dot me atë test.