Pushteti i Kllounit, si kulla e re e Babelit

Ne, shqiptarët, kemi fituar në kohë një veçori, dhe kjo veçori na është kthyer në virtyt. Në festimet e një religjioni nuk qëndrojmë dot pa përmendur dhe tjetrin, pa ia diskutuar dhe pa ia lexuar qoftë edhe historitë. Çdo religjion shpërndan mesazhe paqeje dhe këshillime se si duhet të ruhemi nga sprovat e një të keqeje, e cila që në krijim të njeriut rrethrrotullohet në kohë dhe hapësirë në Tokë, për të çrrënjosur besimin në pastërtinë e shpirtit, dhe lidhjen e saj me të drejtën hyjnore.

Gjatë jetës njeriu njihet me shumë vese dhe ndonjëherë sprovat i duken të pakapërcyeshme. Dobësia që shfaq në karakter gjatë një vështirësie, ndihmon atë të keqe, që të të largojë nga e drejta hyjnore dhe shpirti do të të gjykohet, pavarësisht nëse ti ndryshon rrugës apo jo. Ndryshimi të shpëton nga momenti e në vazhdim, por nuk ta pastron të shkuarën. Nga drejtësia hyjnore nuk ke shpëtim as justifikim sepse qëllimet e mbrapshta e kanë baltosur shpirtin tënd dhe shpallesh dy herë fajtor: një herë për qëllimin dhe një herë për shpirtin.

Qëllimi nuk duhet të justifikojë asnjë mjet. Në momentin që qëllimi justifikon mjetet, atëherë ai nuk është i drejtë.
Nëqoftëse shikojmë historinë, perandorë që kanë ndryshuar kufinj, mbretër që e kanë ngritur pushtetin mbi kufoma, diktatorë gjakpirësa që kanë bërë pakt me të keqen, kanë qenë në kërkim dhe zbulim të jetës së përhershme në Tokë. Kërkojnë përjetësinë pasi e dinë që nuk ka shpëtim nga drejtësia hyjnore.

Forca dhe pushteti kërkojnë tru dhe ligj, njohuri dhe drejtësi. Një lider ka përgjegjësi akoma më të mëdha që të ndërtojë institucione të bazuara në urtësi dhe drejtësi, ose të ngrihet mbi imoralitetin dhe dengun e kufomave të cilat i orvaten për t’u përlyer në të keqen ku ajo i premton pushtet. Këto kufoma kanë hequr dorë nga shpirti. Pasi e kanë shitur shumë lirë, ngrihen njëri mbi tjetrin me mijëra duke i dhënë jetë qëllimit të së keqes, afrimit me Parajsën dhe sfidës ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Pushteti dhe të gjitha pasionet njerëzore për fitim material i jep hapësirë në luftë errësirës, midis së mirës dhe të keqes dhe ndërton majën e kullës gjithmonë e më lart.

Kur ti ngren fronin në majë të kullës.
Të gjithë e dimë se ç’ndodh me kullën e Babelit. Historia është në përsëritje, për sa kohë njeriu bie prè e pasionit dhe veseve. Kur ti shtie në dorë të gjitha pushtetet, kur ti centralizon fuqinë në duart e tua, ngritja e kullës që të sfidosh Zotin bëhet një turbullirë në mendjen tënde dhe është çështje kohe kur puna të fillojë.

Të qenurit hokatar, dëfryes, manovrues i fjalës dhe xhonglues i saj, të bën më të afërt me inteligjencën e masës popullore, e cila në bashkësi humb disa virtyte dhe bie prè e një mashtrimi, ose e përshtatur me ditët e sotshme: me një show gjigand, ku të tjerat janë qëllimet e vërteta. Fjalët e bukura kundrejt atij që rrëfen realitetin do ta bëjnë të duket sikur perfektja po sulmohet dhe viktimizimi bëhet arma më e fortë e kllounit xhonglues, i cili i lutet popullit për edhe një shfaqje.

“ Edhe një shfaqje, edhe një shfaqje ! “ – brohoret kllouni me dajre në dorë.
Zgjatja e shfaqeve vonon ditën e gjykimit, frika ndaj të vërtetës kërkon dhe një shfaqje, ndërsa kulla ngrihet, ndjenjat përplasen, frikë apo vetëkënaqësi që ti konkurron Zotin?…

Populli duhet të mësojë që në momentin kur performanca dështon, skena duhet djegur. Duhet djegur për të mos pasur një klloun tjetër dhe për të mos dhënë mundësi të dytë xhonglimi kllounit jo më me fjalët, por shpirtërat e pastër të popullit.
Toka dridhet, tërmetet sulmojnë rrënjët e kullës, sëmundjet shfaqen mbi dhe, atëherë :
Urime ! U bëre shkak për një pasojë të madhe.

Aty ku pushteti merret me viktima, Zoti atë lider e ka vënë në provë.
“Nuk duhet të harrojmë, – thotë Pike,- se më tërheqësi, më sipërfaqësori, më i paturpshmi dhe më mendjemadhi do të preferohen gjithmonë, edhe në stresin dhe fatkeqësinë më të madhe të shtetit.”

Kur ti lider i ri, je i mësuar, ke një intelekt të madh, edukatë dhe përfaqësohesh nga vlera morale dhe familjare, ku në çdo hap, populli për ty është familje, e njëjtë me atë që ke krijuar me mund. Mos u mundo të flasësh me turmën. Turma e magjepsur nga thirrjet e kullës do të nençmojë, pasi ti je pasues i të drejtave të mëdha dhe kjo e fundit nuk është e pranueshme për masën.

Nëse ti lider i ri, kërkon ngritjen e institucioneve si të pavarura dhe jo si mjete për qëllim, kur ti lufton për komb e nder dhe nuk bën pazare territoresh të mbrojtura me gjak, ndërgjegjja jote nuk do të kërkojë përjetësi në Tokë.

Ti lider i ri, duhet të bësh kujdes, si rob i Zotit, do sprovohesh nga sfera më e lartë e Hyjit, i cili do të dërgojë Mefistofelin edhe për ty, i cili mik i ngushtë do të të duket, edhe me përvojë do të të duket, ndihmë do të të ofrojë, por koha e ka treguar se ai të vret pas shpine e pasi ti tundohesh nga Mefistofeli quaje veten të mundur, ai sapo u ushqye me shpirtin tënd.

Kurrë mos e prano bashkëpunimin me Mefistofelin. Ai dhe kllouni njihen prej vitesh. Lufta është mes tyre. Ti vazhdo dhe qëndro në krah të së drejtës !
Kur ata duken se po kacafyten njëri me tjetrin, mos i beso ! Pa dyshim që një plan për të të bërë “ pis”, është në vijë. Ndjenj e rrezikut e largon kllounin, por Mefistofeli është ndryshe, kur ai të ndjejë që po të humb do të afrohet. Mos risko kohë dhe fute në kurth !

Thjeshtësia nuk mund të jetë e jotja. Thjeshtësia është mashtrim dhe manipulatore. Atë e mbysin çdo ditë ëndërrat për një jetë më të mirë, ndaj arma jote është puna dhe përkushtimi. Nuk do kesh nevojë për “ edhe një shfaqje”, pasi popullin do e udhëzosh pastër në zemër dhe shpejt në punë.
Kllouni do të ngacmojë, do të shpifë, do të hedhë baltë mbi burrëri dhe moral, por kurrë lufta ndaj errësirës s’duhet ndalur. Mos u demoralizo se ata fitojnë. Kulla e ateizmit dhe imoralitetit është e predispozuar të shembet nga vetë Zoti. Ti thjeshtë vazhdo qëndroji në krah !

E keqja mund të përsëritet nëse hapat nuk janë të saktë e flaka nuk e shkrumbon skenën një herë e mirë. Këto janë punë të popullit të zgjuar , jo symbyllur dhe turmë. Dhe, pasi ai ta kalojë këtë sprovë e të bëjë një herë e mirë dallimin mes luftës dhe paqes së dhuruar; populli im i lashtë e i lodhur do të gjejë përfundimisht forcën për të drejtuar të ardhmen drejt së drejtës.