Pse policët në SHBA nuk dënohen për shkelje ligji nga viti 1993

Prokurorët e Minesotës që kërkojnë dënimin e ish-policit të bardhë Derek Chauvin, për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd duke i vendosur gjurin në qafë, përballen me një realitet shqetësues.

Megjithëse posedojnë prova të konsiderueshme, përfshirë pamje filmike dhe deponime fajësuese të dëshmitarëve, historikisht ka qenë pothuajse e pamundur fitorja në çështje të ngjashme.

Në më shumë se 99% të vrasjeve që dihet se janë kryer gjatë detyrës që nga viti 2013, policët amerikanë nuk janë akuzuar penalisht, sipas grupit studimor Mapping Police Violence.

Një arsye është se prokurorët shpesh ia lënë gjykimit të oficerëve të zbatimit të ligjit kur bëhet fjalë për përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Në rastet e rralla që ndaj oficerëve ngrihen akuza, juritë zakonisht nuk pranojnë t’i dënojnë.

Në historinë 165-vjeçare të shtetit Minesota, vetëm një oficer policie – Mohamed Noor, ish-polic i Minneapolisit – dihet të jetë dënuar për vrasje, dhe dënimi ndaj tij është tani në proces apelimi. Zoti Noor, një 34-vjeçar somalezo-amerikan, u dënua vitin e kaluar me 12½ vjet burg për goditjen fatale me armë të një gruaje, e cila i kishte telefonuar numrit të urgjencës 911. Avokati i tij e quajti dënimin “fals”.

Prokurori i Përgjithshëm i Minesotas, Keith Ellison, përmendi këtë historik javën e kaluar, ndërsa njoftoi një akuzë shtesë për vrasje të shkallës së dytë kundër zotit Chauvin, si dhe akuza për tre oficerët e tjerë që morën pjesë në arrestimin e Floyd-it, por që nuk ndërhynë ndërsa Floyd po mundohej të mbushej me frymë.

“Procedimi i këtij rasti nuk do të jetë diçka e lehtë”, tha zoti Ellison. “Ne kemi besim në atë që po bëjmë, por historia tregon se këtu ka sfida të qarta.”

Akuza e shtuar kundër ish-policit Chauvin është për vrasje të paqëllimtë të shkaktuar nëpërmjet sulmit. Në Minesota, shkelja penale e sulmit përkufizohet si shkaktimi i një dëmi të konsiderueshëm ose të madh trupor ndaj një personi tjetër. Për të fituar një dënim, prokurorët duhet të dëshmojnë se akti i gjunjëzimit nbi qafën e Floyd-it për gati 9 minuta ishte një sulm, thotë Peter Wold, një avokat veteran mbrojtës i Minneapolis që përfaqëson zotin Noor.

“Nëse ata vërtetojnë se ai ishte i përfshirë në një sulm kriminal që rezultoi në vdekjen e tij, kjo është vrasje e shkallës së dytë në Minesota”, shpjegon zoti Wold.

Ndërsa jo të gjitha regjistrimet në këtë çështje janë bërë publike, pjesa më rënduese e provave që prokurorët do të përdorin kundër zotit Chauvin është një video e regjistruar në celular nga një qytetar, të momenteve të fundit të zotit Floyd.

Në video, ish-polici Chauvin, i pashqetësuar dhe me duar në xhepa, shihet duke shtypur gjurin e tij mbi qafën e Floyd-it për 8 minuta dhe 46 sekonda, ndërsa Floyd përgjërohet për jetën e tij, duke thënë vazhdimisht: “Nuk marr dot frymë” dhe në një moment tha: “Jam duke vdekur”.

Gati tre minuta të përdorimit të forcës vazhduan pasi Floyd-i kishte humbur ndjenjat, thuhet në padinë penale ndaj ish-policit Chauvin.

“Kjo është një nga videot më të këqija që është shfaqur në një kohë shumë të gjatë,” tha Taryn Merkl, këshilltare e lartë në Qendrën Brennan për Drejtësi në Universitetin e Nju Jorkut dhe ish-kryeprokurore federale në New York.

Ajo që e veçon çështjen nga vrasjet e tjera gjatë detyrës është se në kohën kur mbërriti polici Chauvin, Floyd ishte tashmë në pranga dhe kryesisht i bindur, thotë zonja Merkl. Në vend që të qetësojë situatën, siç oficerët janë të trajnuar të bëjnë, zoti Chauvin përdori forcën e panevojshme, tha ajo.

“Në vitet e fundit, ushtrimi i dhunës ose përdorimi i armës ka ndodhur gjatë veprimit të policisë për të nënshtruar autorin e veprës ose për t’iu përgjigjur në një farë mënyre një perceptimi të dhunës që po ndjenin,” tha zonja Merkl. “Këtu keni një njeri të prangosur që i nënshtrohet forcës potencialisht vdekjeprurëse.”

Sean Malone, një ish-jurist për Departamentin e Policisë në Baltimore, i cili përfaqësonte një nga gjashtë oficerët e policisë të akuzuar në vdekjen e afrikano-amerikanit Freddie Gray në Baltimore në vitin 2015, tha se provat filmike në rastin Chauvin do të jenë më të vështira për t’u hedhur poshtë. Zyrtarët në çështjen Grey u akuzuan për disa vepra penale, që nga vrasje të shkallës së dytë e deri tek sjellje e keqe në detyrë. Asnjë nga oficerët nuk u dënua.

“Këtu kemi një oficer që ushtron diçka që ende nuk kam dëgjuar nga ekspertët të thonë se është një taktikë e policisë – vendosja e gjurit në fytin e zotit Floyd,” tha zoti Malone. “Dhe ai e bëri këtë ndërsa paralajmërohej në mënyrë të përsëritur nga njerëzit në turmë dhe madje edhe oficerët e atjeshëm për gjendjen e përkeqësuar mjekësore të zotit Floyd.”

Kjo nuk do të thotë që zoti Chauvin nuk ka argumenta mbrojtëse.

Avokatët për zotin Chauvin, i cili pati të hënën seancën e parë gjyqësore, ka të ngjarë të argumentojnë se zoti Chauvin përdori një teknikë për të cilën e kishte trajnuar vetë departamenti i tij i policisë, thotë Paul G. Cassell, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Utah dhe ish-gjyqtar federal.

“Atëherë çështja do të jetë nëse ata nuk kanë ndjekur procedurat siç duhet apo cilat ishin ato procedura”, tha zoti Cassell. “Dhe këtu do ta parashikoja epiqendrën e debatit në këtë çështje penale”.

Departamenti i Policisë në Minneapolis të premten pranoi të ndalojë përdorimin e shtrëngimin në qafë nga oficerët.

Një linjë tjetër e mbrojtjes ka të ngjarë të sillet rreth shkakut të vdekjes së zotit Floyd. Dy autopsitë e fundit e shpallën vrasje vdekjen e tij. Por ndërsa ekspertët e punësuar nga familja Floyd zbuluan se ai vdiq nga asfiksimi, zyra e ekzaminuesit mjekësor të qarkut Hennepin nuk e arriti këtë përfundim të qartë.

“Mbrojtja do të përdorë atë provë, padyshim,” tha zoti Wold.

Policimi mund të jetë punë e rrezikshme. Vitin e kaluar, 48 oficerë amerikanë të zbatimit të ligjit u vranë në krye të detyrës dhe 41 të tjerë vdiqën në aksidente, sipas të dhënave të FBI-së.

Oficerët e policisë nganjëherë gjenden në situata të rrezikshme kur marrin vendime të momentit nëse do të përdorin forcën vdekjeprurëse. Gjërat ndodhin aq shpejt sa që prokurorët shpesh vendosin të mos ngrenë akuza pasi mund të jetë e vështirë të provohen.

“Shumica e rasteve nuk janë si rasti i zotit Floyd kur pjesa më e madhe e bashkëveprimit kapet në video,” tha zonja Merkl.

Për më tepër, gjykatat amerikane kanë pranuar prej kohësh që oficerët e policisë duhet të kenë fuqinë të përdorin forcën vdekjeprurëse në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët nga të dyshuarit e rrezikshëm.

“Një nga arsyet që është kaq e vështirë të dënosh oficerët e policisë në këto lloj rastesh është se unë mendoj se të gjithë do të ishin dakord që oficerët e policisë nuk zgjohen në mëngjes dhe thonë,”lërmëni të dal dhe ta bëj një krim sot”, thotë ish-gjykatësi federal Cassell.

Kritikët thonë se oficerët e policisë shpesh veprojnë pa u ndëshkuar, duke e ditur se nuk do të përballen me akuza penale. Në vend që të përballen me ndjekjen penale, oficerët e akuzuar për përdorim të forcës së papërshtatshme, shpesh të mbështetur nga sindikatat e fuqishme të policisë, lihen të lirë pothuajse pa u ndëshkuar, thonë kritikët.

Por ndërsa zyrtarët dhe prokurorët dikur nuk kishin dëshirë të akuzonin oficerët e policisë, ata tani përshpejtojnë procedurat. Në dy javët e kaluara, oficerët e policisë në disa qytete, nga Buffalo në Atlanta, janë akuzuar për sjellje të gabuar dhe përdorim të papërshtatshëm të forcës.

Çështja kundër tre oficerëve kolegë të zotit Chauvin – dy prej të cilëve ishin fillestarë – nuk është aq e qartë, sipas ekspertëve juridikë dhe avokatëve të mbrojtjes kriminale. Të tre – Thomas Lane, Alexander Keung dhe Tou Thao – përballen me akuza identike se ndihmuan në një vrasje të shkallës së dytë.

Një nga sfidat me të cilat përballen prokurorët do të jetë të provojnë se oficerët e dinin ose duhej ta dinin që Chauvin po kryente një krim që do të shkaktonte vdekjen e Floyd-it, thonë ekspertët ligjorë.

“Videoja zgjat mjaftueshëm për t’i dhënë prokurorisë argumente shumë të forta për ndihmën dhe përgjegjësinë e akuzës për vrasje të shkallës së dytë dhe sigurisht për akuzën e vrasjes,” tha zonja Merkl. “Por, të bindësh një juri prej 12 personash përtej një dyshimi të arsyeshëm nuk është e lehtë, duke pasur parasysh ndjenjat dhe njohuritë e përgjithshme, dhe që policia lejohet të përdorë forcën në punën e saj”.