Pse bllokimi i reformës zgjedhore mbetet e vetmja shpresë e Ramës?

Nga Red VARAKU

Nuk është e vështirë të lexosh paranojën që ka kapur kryeministrin shqiptar pas dakortësimit për reformën zgjedhore. Kjo sepse ai e ka të qartë që pas dakortësimit të saj vjen menjëherë dhe zbatimi i saj që do të thotë zgjedhje të parakohshme.

Mosdakortësimi për reformën zgjedhore ishte shansi i tij i fundit për të shtyrë zgjedhjet dhe për këtë u investua me gjithçka kishte, deri edhe në përpjekjen për të joshur Ilir Metën për të dalë nga koalicioni me Lulzim Bashën, por fakti që kjo përpjekje iu kthye turinjve 100 fish e ka dëshpëruar edhe më shumë.

Gjithashtu, një arsye tjetër për frikën dhe paranojën e tij është fakti që menjëherë pas dakortësimit për reformën zgjedhore faktori ndërkombëtar ka rritur presionin politik mbi të, ku për herë të parë nëpërmjet grupit parlamentar më të madh të PE, atij të PPE, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme politike në të njëjtën ditë me ato lokale me një reformë të dakortësuar zgjedhore.

Dihet që një deklaratë e tillë është e qartë dhe aspak diplomatike dhe nuk le hapësirë për interpretim . Moszbatimi i kërkesave të saj jo vetëm e ngarkon këtë qeveri me përgjegjësi të rëndë, por sjell edhe pasoja të ashpra për të ardhmen e integrimit të vendit.

Pas kësaj, përveç kokëtulëve nuk besoj se dyshon më njeri, se ai ka vetëm një mënyrë për të shtyrë varrimin e tij politik dhe ajo është nëpërmjet bllokimit të reformës zgjedhore me të gjitha mjetet.

Kjo është arsyeja se pse ai është investuar sërish në bllokimin e reformës zgjedhore në kuvend me mercenarët e tij politikë, e më pas në mosrealizimin e saj. Sepse, ai e ka të qartë që nëse kjo reformë kalon në kuvend dhe do të fillojë të funksionojë dhe të punojë për termat teknikë, ky do të ishte dhe fundi tij. Pra, votimi në kuvend i Kodi të ri, u hap rrugën menjëherë zgjedhjeve të reja sipas kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë për hapjen e negociatave

I trembur nga presioni i ashpër perëndimor, I tmerruar nga fundi i tij i sigurtë dhe nga zgjedhjet e reja me një Kod më të sigurt, i sigurt se vazhdimi i dialogut me opozitën po e ekspozon atë si fajtor kryesor para shqiptarëve për moshapjen e negociatave , ai nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse të bëhet pengesë për vazhdimin formal të marrëveshjes me opozitën.

Besoj është e qartë pse ai nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse të bllokojë reformën zgjedhore. Madje, duke njohur natyrën e tij skizoide kemi për të parë se ai mund të anulojë dhe ato çfarë ka pranuar deri tani.

Me sa duket ashtu si çdo regjim kur i vjen ngordhja, dhe ky i yni, kur tenton të ndryshojë, shkatërrohet. Ndaj, për të ruajtur statu quo-në e deritanishme , prej ditësh ka ngritur në këmbë opozitën parlametare. Sigurisht, me manovrat e tij ai mbase do të arrijë ta zgjasë agoninë e tij në pushtet, por nuk do ta arrijë kurrë ta ndalë egzekutimin e verdiktit që tashmë është dhënë për të.