Po kërkojnë që t’u izolojnë sërish, deklarata

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka folur për shifrën e lartë të rasteve me koronavirus duke treguar se nuk po mendohet për një karantinim të dytë, por një gjë e tillë nuk përjashtohet nga mundësia.

Brataj tha në emisionin “Opinion” se Shqipëria mund të izolohet sërish nëse numri i pacientëve që kanë nevojë për të marrë trajtim mjekësor në spital i kalon kapacitetet, pra numri i të shtruarve arrin më shumë se 400.

“Për momentin as që e mendojmë të mbyllemi prapë në karantinë. Në mund të mbyllemi vetëm nëse numri i kapaciteteve në spitale arrin aq shumë saqë i saturon të gjitha resurset tona, si në burime njerëzore pra në mjekë e infermierë, si në shtretër, do ndodhë si në të gjithë botën.

Ne momentalisht kemi 400 shtretër, 55 janë të zënë, nëse numri i pacientëve që kërkojnë hospitalizim i kalon 400 të shtruar në spitale, atëherë s’kemi çfarë të bëjmë dhe do duhet të mbyllemi, por që nuk mendoj se do shkojmë deri aty. Tani kemi dhe një gjë pozitive pasi koha e shërimit është më e shkurtër se më parë”, tha Brataj.