Po-ja europiane e Bashës

Nga Gentian GABA

Dakordësia e arritur mbrëmjen e së premtes nuk është fundi i rrugëtimit drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por është një hap më shumë drejt tyre. Në ‘ditën ndërkombëtare të mjedisit’, ndër të tjera, u vendos se vota e shqiptarëve do të jetë ‘bio’, në gjurmën e identifikimit elektronik, dhe depolitizimi, një term që nuk mund të lidhet lehtë me administratën shqiptare, do të mbetet për ditë më të mira të gjësë sonë publike.

Është një gotë gjysmë plotë për interesin publilk, ngase ajo që u nënshkrua, nuk ka të bëjë vetëm me aspekte teknike të administrimit zgjedhor, por me nisjen e një procesi politik, zbatimi i 15 kushteve, që do t’i japë jetë një rrethi virtuoz nga i cili do të përfitojë e gjithë shoqëria jonë. Sepse çdo kusht përfaqëson një hap, ndoshta të ngadaltë, por të sigurtë drejt normalitetit politik dhe institucional.

I rrezikuari i madh nga ky pushtim i butë është ai që ka kapur në mënyrë arbitrare të gjitha pushtetet në vend. Krejt i vetëdijshëm se implementimi i urdhëresave europiane përbën një demontim të pushtetit të tij, Rama përfitoi nga çdo vjegë, natyrore apo politike, për të vonuar zbatimin e tyre ose për ta bërë opozitën refraktare.

‘Në këtë proces janë dy tema faktikisht. Eshtë tema e vendosur në tryezën e forcave politike nga Bashkimi Europian, që për herë të parë në historinë e vet ndërhyn në një çështje ekskluzive të politikës së brendshme që zgjedhja e një sistemi dhe një kodi zgjedhor që të gjitha vendet e kanë sipas vullnetit të parlamenteve të tyre.’- do të shprehej Rama të enjten në Parlament, i ngashëryer nga fakti që BE po i imponon atij i cili e ka të shkruar në historinë e tij alergjinë ndaj konsensusit, ndjekjen e një udhe të përcaktuar nga opozita shqiptare. Anispe, përpara se të përpiqej ta zbehte këtë shtrëngim në sytë e qytetarëve, do të ishte e udhës që të pyeste ‘gurunë’ e tij zgjedhor, Gjiknurin, i cili është familjar me konceptin hinduist të karmës. Parimit shpirtëror të kauzës dhe efektit ku qëllimi dhe veprimet e një individi (shkaku) ndikojnë në të ardhmen e atij individi (efekti).

Kësisoj karma e keqe e Ramës është pasojë e makutërisë së tij për pushtet, e shkeljeve të njëpasnjëshme, zgjedhore dhe jo, që bota tashmë di, efekti i të cilave u mishërua në detyrimin për të mos hedhur asnjë hap përpara pa opozitën. Andaj erdhi në jetë edhe ‘Këshilli Politik’, si një gjetje sui generis, për të adresuar jashtë një Parlamenti të bërë de facto nul në çështjet zgjedhore. Një tryezë ndërpartiake që dëshmon me vetë ekzistencë e saj, se akuzat e ngritura nga Basha janë publikisht të pranuara, jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga autorët e tyre; të cilët, me shkuarjen te Pallati i Kongreseve u detyruan ta ndiqnin agjendën e opozitës.

Kjo e fundit, e ngarkuar gjithashtu me përgjegjësi nga dora që i zgjatën aleatët, dha në këmbim një ‘Po’ që nuk është vetëm në dobi të saj, por edhe të agjendës europiane të Shqipërisë. Shumëkush mund të kishte kërkuar një betejë të paepur me shëmbësin e zgjedhjeve dhe rendit ligjor, përshkallëzimi i të cilës do ta mbante vendin në një gjendje konstante instabiliteti; por ato janë hesape që bëhen pa pasur parasysh realpolitikën e fuqive të mëdha. Të cilat nuk do të lejonin që vendi të kthehej në një fushëbetejë midis palëve, kur institucionet e drejtësisë janë një ‘ground zero’ edhe për shkak të tyre. Etaloni i këtij ngërci në të cilët vetë të huajt janë pjesë, është cështja Dako. I shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara për akte të rënda korrupsioni, veçse i paandrallur nga drejtësia e re shqiptare.

‘Raison de l’état’, dhe arsyeja qytetare, sugjeronte se pas votimit të kushteve në Bundestag, të merreshin vendime të bazuara në realitetin e marrëdhënieve të forcës dhe kontekstit historik. Nëse kriza do t’i shpëtonte këtij realizmi, ajo do të kthehej në një konflikt të pafundmë, që do të shpërblente vetëm mbajtësin dhe përqëndruesin aktual të tij.

Tani hapet një faqe e re për të ardhmen. Oreksi i shoqërisë është më i madh se ai që mund të ofrojë marrëveshja e së premtes. Megjithatë ky është një fillim i mbarë nga i cili do të lindin mundësi të reja, sidomos nëse kemi parasysh se agjenda e parashtruar nga sfiduesit e Ramës, përmban edhe 14 pika të tjera. Dhe e vërteta është se kur ato të jenë përmbushur, fituesit do jenë qytetarët.