Pandemia e COVID-19 po shkatërron ekonominë globale, borxhi publik arrin në 77 përqind

Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar dëme të pashembullta kudo në ekonominë globale dhe ka krijuar tendosje për sistemin financiar në shumë vende, por Shqipëria do të jetë nga më të rrezikuarat.

Borxhi publik i vendit tonë rrezikon të rritet me 11 pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) – analizoi Banka Botërore në një studim të fundit mbi efektet që pandemia do të ketë në treguesit makrofiskalë në vendet me të ardhura të mesme. Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm, Shqipëria pëfshihet në 15 vendet që rrezikon rritje të madhe të borxhit ndër 106 vende me të ardhura të mesme.

Borxhi publik arriti në 65.8% të PBB-së në fund të vitit 2019, por sipas analizës së Bankës Botërore, pandemia do ta çojë këtë tregues në 76.8% të PBB-së.

Vendi ynë paraqitet me borxhin më të lartë në rajon dhe shumë më tepër afër kufirit që FMN rekomandon për vendet në zhvillim rreth 60% të PBB-së. Nga ana tjetër, vendi ka ezauruar tërësisht hapësirën fiskale, pasi ka përqindjet më të larta të tatimeve dhe taksave në rajon. Të gjitha boshllëqet që vijnë nga mungesa e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve do të financohet me borxh.

Parashikimet kanë nisur të materializohen teksa stoku i borxhit në tremujorin e parë të vitit arriti në 66,7% të PBB-së, duke shënuar rritje gati me 1 pikë përqindje në raport me fundin e vitit.

Deficiti buxhetor që reflekton shpenzimet që nuk mbulohen nga të ardhurat u rrit me 6,675% në 5-mujorin e parë, duke sinjalizuar për zgjerim të pazakontë të borxhit publik, si pasojë e efekteve negative që dha bllokimi i ekonomisë prej masave për parandalimin e pandemisë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, vjet në këtë periudhë, balanca buxhetore ishte me 400 milionë lekë plus, por pandemia e ka ndryshuar kryekëput situatën, për shkak se të ardhurat kanë rënë me ritme të forta nga parashikimet fillestare.

Rënia e të ardhurave e shoqëruar me shpenzime të njëjta si në vitin e kaluar, ka çuar deficitin buxhetor në janar-maj në -26 miliardë lekë. Me rishikimin e buxhetit në qershor, Ministria e Financave pret të zgjerojë deficitin buxhetor në nivelin në -5% të PBB-së.