Një personazh atipik dhe më i buti në Mallakastrën e egër…

Nga Albert AVDULI

Hirrën ku e çoni?
Zanua, vetëm këtë pyetje i drejtoi presidiumit të mbledhjes.
Kush është Zanua ? – do të pyesni ju.
Keni të drejtë. Që të kuptohet pyetja, duhet njohur Zanua.
E mbasi ta njihni, s’do kërkoni përgjigjen e pyetjes.

Zanua . . .
Një personazh atipik dhe më i buti në Mallakastrën e egër.
Në fëmijëri ndoshta, kishte pësuar goditje nga temperatura e lartë apo fizike dhe trajtohej me pension si jo i aftë për punë.

Me trup të dobët, fytyrë pa moshë dhe flokët alla shangai, vërtitej nga njëra zyrë te tjetra.
Vetullat e dëndura dhe vështrimi shpues të krijonin idenë se ishte një akademik.
Balli i ngushtë i tij ta rrëzonte përshtypjen e parë dhe kjo ishte zhgënjyese. Jo për Zanon, por për atë që rastiste të takohej.
Rrallëherë e kisha takuar dhe unë.

Besoj se në gjykimin e tij, çdo tjetër ishte “similia similbus”, një i ngjashëm.
Kishte krijuar stilin e tij në paraqitje, ecje, përshëndetje, rrufitjen e kafes, mbartjen e halleve dhe gjykimin e realitetit.
Duket ironike të shprehesh për individualitet tek një njeri me epikrizën e tij, por për aq sa e njihja, kështu e përcaktoja.

Gjithësesi në çdo vlerësim ka subjektivitet.
Në raport me kohën, vishej kujdesshëm. Kostumin e drobitur nuk e hiqte kurrë. Nën sqetull mbante një çantë zyrtari sikurse personifikohej dikur.
Brenda saj mbante raportin mjeko – ligjor të cungimit të vetë.
Atë fletë me disa vula e tundte si dekoratë, por edhe si imunitet.

Po, po, njëjtë me deputetët e sotëm.
Në kutinë e tij të Pandorës, gjendej gjithashtu, çdo akt ligjor apo vendim qeverie që mund t’i binte në dorë
I lexonte dhe kishte krijuar njëfarë rrjedhshmërie në artikulim proçedurash.
Ishin vitet 1986 apo 1987. Ekonomia ishte në zgrip dhe anemia zverdhte çdo hallkë në zinxhirin e jetës.

Familjet luftonin për ekzistencën biologjike. . . Ushqimi i pamjaftueshëm dhe raftet e njësive tregtare të dërrmonin me boshësinë e tyre.
Drejtuesit vendorë përpëliteshin midis gjëmës së madhe e nuk ndryshonin dot gjë.
Dhimbeshin dhe ata, pavarësisht indoktrinimit, sepse bijë të zonës ishin dhe e shihnin me sy greminën ku po rrëshqiste vendi.

Fratari ishte qendër kooperative dhe qytezë për fshatrat e sipërm të krahinës tonë.
Para shumë vitesh, kjo ngjarje, më ka ardhur në vëmendje kështu si do ta rrëfej më poshtë.
Mund të ketë ndonjë mangësi, por unë nuk po përcjell procesverbalin e mbledhjes.
Bëhej takim i zgjeruar i popullit.

Qëllimin e thirrjes së atij kuvendi, veç mund ta hamendësoj.
Mos përmbushje e detyrave të planit pesë vjeçar.
Nga Fieri, kishte ardhur një nga drejtuesit e lartë të pushtetit të kohës.
Trajtesa, pyetjet dhe shpjegimet u kryen në rutinën e zakonshme.
Ata nuk mund të hidhnin mbulesë të purpurtë mbi gjëndjen e rëndë ekonomike.
U dhanë sqarimet me formulime standarte; bllokada, armiqtë, revizionistët, sabotatorët, imperializmi, fanar ndriçues, krenar e të papërkulur etj.

Duartrokitjet . . .
Heshtje. . .
Gratë çuçurisnin me njëra tjetrën.
Burrat dridhnin duhan, gërvishtnin tokën midis gjunjëve ose gërmonin veshët e tyre me sytë ulur mbi opingat e damllosura.
Shumëkush mendonte shumëçka, por kurrkush nuk e zbrazte një zanore nga honet e trurit e shpirtit.

Qetësinë e prishi togfjalëshi, epo mjaft . . .
Zanua e mori fjalën pa leje.
Zëri i hollë i tij nuk u dëgjua si gërvimë e bravës së ndryshkur.
Jo, ai zë ushtoi si minë në gurore.
” I nderuar presidium. I nderuar shoku filan. Një pyetje kam : Po mirë se djathin dhe mishin e kuptojmë ku shkon, po hirrën ku e çoni ?
Hirrën, hirrën po kërkojmë, të gjerbim kafshtën e bukës”.
Kaq foli. Vetëm kaq.

Vuri çantën nën sqetullën e djersitur dhe iku si një korrier që e ka dorëzuar telegramin.
Ajo mbledhje kishte shumë burra të mënçëm e trima, por emrat e tyre vijnë zbehtë, krahasuar me njeriun “e mangët”.
Ata heshtën sepse prangat lëshonin tingujt e tyre metalik edhe pa u tundur.
Kllapat e çelikta mund t’i thyente vetëm ai me çartjen e tij filozofike.
Zanua ishte sipërori në atë takim.
Jo si i marrë, por si arbitër i drejtë, si një njeri, i cili, frikën e kish mbyllur brenda çantës së tij proverbiale.