Mustafa shkarkon Vjosa Osmanin nga të gjitha postet drejtuese në LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të shtunën kishte propozuar që të shkarkohet Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe kryesisë së këtij subjekti politik.

Mustafa, përmes një letre drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka kërkuar votimin për shkarkimin e Osmanit.

Ndërkaq, bëhet e ditur se Osmani tashmë është shkarkuar nga posti që mbante në këtë subjekt politik.

Siç mësohet, Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së përmes votimit elektronik sot kanë shkarkuar atë nga posti i nënkryetares dhe anëtares së LDK-së.

Kjo u bë e ditur nga deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Avdyli përmes një shkrimi në Facebook, e ka quajtur vendimin skandaloz.

Tutje ai ka thënë se ekziston mundësia që rezultatet e këtij sondazhi Online mund të jenë manipuluar prandaj nuk ka vlerë as juridike e as obligative për askënd.

“Vendimi i skandaloz për kinse shkarkimin përmes email-it të Vjosa Osmanit nga organet drejtuese të LDK-së, i iniciuar nga njerëzit pa legjitimitet qytetar, paraqet vetëm një manipulim interneti e asgjë më shumë. Votimi i përmes email-it është një vendim mashtrues dhe frikacak si gjithmonë i disa njerëzve që s’kanë guxim qytetar të maten e thirren si pronarë të LDK-së. Këta se kanë problem edhe ti manipulojnë rezultatet. Ekziston mundësia që rezultatet i këtij sondazhi Online mund te jenë manipuluar prandaj s’ka vlerë as juridike as obligative për askënd. Ne dhe secili aktivistë i LDK-së do e konsiderojnë këtë vetëm si një sondazh pavlerë derisa ky vendim të mos merret konform rregullave demokratike”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, Mustafa, në letrën dërguar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, i ka uruar ata për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti.

Më tej në letër ka përmendur se tre deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani, Fatmir Rexhepi dhe Haxhi Avdyli kanë votuar kundër Qeverisë, kurse në seancën e Kuvendit, në të cilën u votua mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, Osmani në kundërshtim me qëndrimin e Kryesisë së LDK-së, bëri apel të mos votohet mocioni.

Mustafa ka thënë se Osmani vazhdoi publikisht me kundërshtimin e koalicionit aktual i cili përbën Qeverinë Hoti.

Kreu i LDK-së thotë se Osmani iku nga përgjegjësia për ta drejtuar seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga LDK-ja.

Historia e kundërshtimeve Mustafa-Osmani

Osmani, e cila është kryetare e Kuvendit të Kosovës, kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e saja lidhur me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në mars të këtij viti.

Gjatë mocionit të mosbesimit të ngritur nga LDK-ja më 25 mars, ndaj qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, Osmani kishte votuar kundër.

Osmani u zgjodh në krye të kuvendit, me propozimin e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe vazhdon ta mbajë atë pozitë edhe pas rrëzimit të qeverisë LVV-LDK.

Vjosa Osmani është shprehur kundër edhe qeverisë së re të formuar nga LDK-ja, që udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Në seancën e 3 qershorit, kur u votua për qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, Osmani nuk mori fare pjesë.

Osmani ka kundërshtuar edhe vendimin e qeverisë më 6 qershor, për të hequr masat e reciprocitetit kundër Serbisë.

Ajo ka thënë se me heqjen e reciprocitetit, “Kosova ka hequr dorë “nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, të vitit 2019, Osmani ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Osmani është personi i dytë më i votuar në Kosovë, pas Albin Kurti. Ajo në zgjedhjet e fundit më 6 tetor fitoi 176 mijë vota.

Vjosa Osmani edhe në vitin 2014 kishte shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës ndërmjet LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos e votuar qeverinë e udhëhequr nga kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa. /