“Mos më prek, ti e ke marr rrogën!” Tensione në protestën e shoqatave të transportit

Ka patur momente tensioni në protestën e organizuar nga shoqatat e transportit rrugor, tubim i cili u zhvendosur nga Ministria e Transportit drejt Ministrisë së Financave në Tiranë.

Policia ka ndërhyrë sërish për të shpërndarë turmën, por shumë punëtorë kanë reaguar ashpër ndaj thirrjeve të policisë dhe nuk i janë bindur urdhrit.

Protestuesi: Hiqe dorën mos më prek mua

Polici: Të lutem zhvendosu

Protestuesi: Mos më prek, e ke marrë rrogën për vete ti, po unë çfarë të ha. Mos më prek.

Punëtorët e transportit rrugor në vend kërkojnë ndihmë financiare nga ana e qeverisë, me argumentin se jo vetëm që nuk po lejohen të punojnë por në 3 muaj karantinë kanë marrë vetëm 400 mijë lekë të vjetra.

“Është e pamundur që ne të jetojmë me 400 mijë lekë. Duhet të hapet transporti dhe te fillojmë jetën normale. Nëse ne nuk marrim një zgjidhje do të jemi këtu çdo ditë, në protestë. Po kërkojmë bukën e kalamajve, asgjë tjetër. Do dalin më protestë çdo ditë”, shprehen një pjesë e protestuesve.

Kujtojmë se ditën e djeshme kryeministri Rama deklaroi se nuk do të lejoheshin më grumbullimet apo tubimet, në kushtet kur ditët e fundit numri i të infektuarve me Covid është rritur ndjeshëm.

Ndërkohë shumë protestues mbanin sot në duar pankarta me ‘Turin’ e famshëm të provimit të gjuhë letërsisë, pyetje e cila habiti maturantët dhe jo vetëm.