Mediu: Rama do të bëjë gjithçka pë të penguar implementimin e identifikimit biometrik në zgjedhje

Një ndër pikat e dakordësuara në Këshillin Politik për reformën zgjedhore është identifikimi biometrik në zgjedhje.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, shprehet se ky është një hap pozitiv për këtë reformë, por gjithashtu ka dyshime se mazhoranca do të bëjë gjithçka të jetë e mundur për ta penguar implementimin e saj.

I ftuar në hapësirën e intervistës në Ora News me gazetaren Matilda Mcini ai thotë se Rama donte të kontrollonte gjithë komisionet e qendrave të votimit të KZAZ dhe grupeve të numërimit.

“Kjo nuk është marrëveshje për Reformën Zgjedhore, është një marrëveshje për një pjesë të saj që ka të bëjë me administrimin e procesit. E cila shmangi një këkrkesë ose një tendencë për manipulim nga Rama në emër të të ashtuquajtura komisione të depolitizuar.

Donte që të kontrollonte gjithë komisionet e qendrave të votimit të KZAZ dhe grupeve të numërimit për të shënuar fitoren në tavolinë. Kjo lëvizje që u bë ishte pozitive për ta rikthyer opozitën në komisionet që kishte pasur më parë.

Një lëvizje pozitive është dhe identifikimit biometrik por duhet parë implementimi i saj. Gjuha e përdorur në marrëveshje të jep përshtypjen se opozita e do këtë teknologji në 100 përqind por dhe qeveria duket e rezervuar për identifikimin elektronik. Kjo është e domosdoshme për të shmangu votimin dy herë apo në grup. Bindja ime, duke u nisur nga qasja e qeverisë dhe Ramës, mazhoranca do ta pengojë këtë proces dhe nuk do të lejohet identifikimi elektronik”, tha Mediu.