Mediat gjermane: Nuk hapen negociatat me Shqipërinë nëse nuk shfuqizohen ligjet “Rama” për censurën

Fati i kësaj pakete tanimë duket i paralajmëruar: dy ligjet e saj rrezikojnë lirinë e shprehjes në Shqipëri. Në draft – opinionin e Komisionit të Venecias (KV) për këtë paketë, të publikuar ditët e fundit, ligjet e saj cilësohen ” me efekt frenues ndaj fjalës së lirë dhe mundësi për të prodhuar censurë dhe autocensurë në median on line dhe jo vetëm”. Ky komision i rekomandon Parlamentit dhe qeverisë Rama ta rishikojë paketën ligjore anti-shpifje dhe të krijojë kushte për vetërregullimin e medias on line, ndaj së cilës vepron kryesisht kjo paketë.

Këshilli Kombëtar i Integrimit, në një takim të zhvilluar të martën (09.06.20) publikoi rekomandimet dhe kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të hapur negociatat e anëtarësimit. Rishikimi i plotë i paketës anti-shpifje dhe plotesimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias në tetor të këtij viti, është i shtati në listën prej 15 kushtesh.

Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler, anëtar i Unionit Kristian-Demokrat, deklaroi të martën, në emër të Grupit të Partive Popullore në Parlamentin Europian, se “kërkojmë shfuqizimin e legjislacionit që kërcënon lirinë e shprehjes”, si një nga kushtet për fillimin e negociatave të pranimit.

Lajme të mira, në kohën e duhur

Për gazetarët dhe shoqatat e tyre këto zhvillime janë pikërisht ato që ata kërkuan me protestat e tyre në fund vitin 2019, kur paketa u miratua, edhe pse ata bënë protesta dhe pati kundërshti edhe BE, Këshilli i Europës, që ua dërgoi paketën anti-shpifje ekspertëve të KV, për të dhënë opinionin e tyre, pasi sugjerimet e këtij Këshilli nuk u morën parasysh.

Aleksandër Çipa, analist i pavarur dhe kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë thotë për DW se ” rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe deklarata e eurodeputetit gjerman Michael Gahler janë lajme të mira, në kohën e duhur.”

” Ato shmangin rrezikun ndaj lirisë së shprehjes në Shqipëri. Janë një përgjigje pa ekuivok kundër nismës së qeverisë për të krijuar nje realitet ,që do të cungonte lirinë e shprehjes në mediat on line” thotë ai për DW.

Argumentat dhe interpretimi juridik i Komisionit të Venecias, thekson Aleksandër Çipa, përkojnë me ato që ka paraqitur Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Këshilli Shqiptar i Medias dhe organizatat e tjera të gazetarëve, që në krye të herës, në seancat e konsultimit në komisionin parlamentar të medias dhe atë të ligjeve, të draft paketës anti-shpifje. Por ato nuk u morën parasysh.

Pse nuk u dëgjua zëri kundër i gazetarëve?

Protestat e gazetarëve dhe solidariteti ndaj tyre i organizatave ndërkombërare të gazetarëve nuk patën rezultat.

” Ndjej keqardhje që zëri i gazetarëve nuk u dëgjua. Maxhoranca socialiste u tregua kokëfortë. Por në këtë kokëfortesi mendoj se ka rolin e vet edhe gjendja kritike dhe realiteti i mediave on line në Shqipëri: ka kaq shumë ndotje etike, kaq shumë përbaltje që shtohet nga dita në ditë. Pa lënë mënjanë klimën politizuese dhe emocionin që shfaqën gjatë diskutimeve për këtë paketë aktorët kryesorë të maxhorancës dhe qeverisë socialiste Rama” thotë Aleksandër Çipa për DW.

Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias e konsideron mos marrjen parasysh të zërit të gazetarëve dhe organizatave të tyre si tregues ” të papërgjegjshmërisë së ligjvënësve.”

“Mendoj që ligjvënësit, vitet e fundit prodhojnë vetëm ligje që janë në shërbim të një pakice të privilegjuar. Shpesh ligjet janë anti- kushtetuese dhe në shumicën e rasteve shkojnë kundër vlerave europiane. Pas mosdekretimit të paketës anti-shpifje nga Presidenti Meta dhe mos marrjes në konsideratë nga maxhoranca socialiste të argumentave të tij për rishqyrtimi, në fuqi hyri vetëm njëri nga dy ligjet e paketës anti-shpifje, ligji për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (AKEP). Por ky ligj është nul, pa sens, pa ligjin tjetër atë për Autoritetin e Mediave Audio Vizuale, (AMA). A nuk është kjo mungesë përgjegjësie?” thotë Koloreto Cukali për DW.

Shfuqizim apo rishikim?

Mangësitë e paketës anti-shpifje, në kurriz të lirisë së shprehjes duket se janë thelbësore.

Ligji për AMA parashikon që ky autoritet të shqyrtojë brenda 48 orëve ankesat e individëve, bizneseve, institucioneve, kur ato pretendojnë se ndaj tyre është shpifur, cënuar dinjiteti , privatësia nga mediat tradicionale dhe ato online. AMA i jepet e drejta me ligj të vendosë gjoba që shkojnë deri në 8 mijë Euro, nëse mediat nuk reagojnë në rastet e denoncimeve. Ndërkohë AKEP hyn në lojë duke vendosur pop apps që shfaqen sa herë klikohet në websitet apo portalet e mediave,për të cilat ka marrë sinjal nga AMA.

AKEP-it ligji i jep të drejtën të shkruajë në pop apps, që media ose portali në fjalë ka shpifur apo ka cënuar dinjitetin e individit, biznesit, institucionit. Në rast se media apo portali edhe pas vendosjes së pop apps nuk reagon, atëherë AKEP ka kompetencën që me anë të operatorëve që ofrojnë shërbime interneti, (Internet Service Providers, ISP) të bllokojë domenin e websiteve të caktuara dhe të bëjë të pamundur aksesin e publikut tek ato në territorin e Shqipërisë. Me fjalë të tjera AMA shndrrohet në një agjensi censure, në një gjykatë që vendos kurse AKEP në një agjensi zbatuese, përmbaruese të vendimeve të AMA, duke anashkaluar institucionet e drejtësisë së reformuar.

Opinioni i Komsionit të Venecias ka paraqitur edhe mangësi të tjera të paketës anti-shpifje, si formula e përzgjedhjes së anëtarëve të AMA që nuk siguron pavarësinë nga qeveria.

“Maxhoranca dhe qeveria duhet të tërhiqen plotësisht nga paketa ligjore anti-shpifje, që paraqet rrezik të madh për lirinë e shprehjes dhe egzistencën e mediave on line. Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë mbështet rekomandimin e Komisioni ttë Venecias për ngritjen e një njësie vetë-rregulluese. Qeveria që ndërmorri nismën për këtë paketë le të krijojë terrenin dhe mbështetjen inkurajuese për ngritjen e mekanizmave vetërregulluese” thotë Aleksandër Çipa për DW .

Edhe Këshilli Shqiptar i Medias është pro shfuqizimit të paketës anti-shpifje.

” Do përpiqemi bashkë me organizatat e tjera të gazetarëve që qeveria të tërhiqet plotësisht nga kjo pakerë dhe tentativa për t’i vënë nën kontroll mediat. Do të vazhdojmë procesin e ngritjes së mekanizmave vetë rregullues siꞔ thotë rekomandimi bazë i Komisionit të Venecias” thorë për DW, Koloreto Cukali.

Shfuqizimi dhe rishikimi janë dy gjëra të ndryshme. Qeveria thotë rishikim, Parlamenti Evropian dhe gazetarët kërkojnë shfuqizim.