Largimi shembullor i Dvoranit shprehje e qartë e vullnetit të SHBA dhe BE

Nga Red VARAKU

Ardian Dvorani, njeriu më besnik i kryeministrit Rama, përmes duarve të pisëta të të cilit ai kontrollonte emërimet në Reformën në Drejtësi, u lirua menjëherë nga detyra me një lehtësi që na befasoi të gjithëve.

Them na befasoi, sepse me të gjitha përpjekjet që ishin bërë , askush nuk ia kishte dalë deri tani ta lironte nga puna njeriun e kryeministrit, i cili qëndronte aty në mënyrë të paligjshme dhe me një mandat të skaduar dhe në kundërshtim me kushtetutën.

Sigurisht, kështu si u bë, kuptohet që kjo mund të kishte ndodhur edhe më parë dhe këtë e dimë të gjithë, pavarësisht interpretimeve.

Por e vërteta është që ai nuk “u lirua”, por u ‘eliminua’ para syve të opinionit publik, duke dhënë një mesazh të fortë publik, për fatin e atyre që guxojnë të luajnë me investimin më të madh amerikan , Reformën në Drejtësi.

Kjo sipas deklaratës së ambasadores amerikane Yuri Kim, ku ajo fliste për një marrëveshje/ tradhëti ‘prapa krahëve’ të tyre në dëm të Reformës dhe interesit publik. Pra, është e qartë që “egzekutimi” i tij shembullor është vullnet i qartë perëndimor.

Me sa duket janë të vërteta dyshimet që ai ishte shndërruar në njeriun që po pengonte me “urdhër” të kryeministrit, avancimin e Reformës, përkatësisht krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, dy kërkesave kryesore të faktorit ndërkombëtar pas zgjedhjeve moniste të 30 qershorit dhe e gjitha kjo në funksion të “një pazari” për të mbajtur në pushtet Ramën.

Që e ka bërë me “urdhër” të kryeministrit nuk besoj se ka ndonjë dyshim, sepse dihet që kryeministri është njeriu i cili deri tani ka pasur plotfuqi mbi këtë Reformë.

Faktin që ky po e bllokonte procesin na e konfirmojnë vendimet e Komisionit të Venecias, të cilat në raportet e tyre e konstatojnë një vullnet të hapur për bllokim të Reformës . Ndërsa, vendimin për të mos e lejuar një pazar të tillë na e dëshmon vendosmëria e faktorit ndërkombëtar.

Kjo vendosmëri për të mos e lejuar një pazar të tillë dhe për të çuar përpara Reformën, u përkthye edhe në dy deklarata të njëpasnjëshme të dy partnerëve tanë më të rëndësishëm , atë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët për herë të parë u shprehën në nivele kaq të larta në lidhje me krizën shqiptare.

Parlamenti Europian, institucioni më li lartë i BE, kërkoi zgjedhje të njëkohshme parlamentare dhe lokale menjëherë pas kodifikimit të reformës zgjedhore. Por, dihet që të kemi përsëritje të zgjedhjeve lokale duhet formalisht një vendim i Gjykatës Kushtetuese, të cilën prej një viti Rama nëpërmjet Dvoranit po e mbante të bllokuar.

Ndërsa, në deklaratën më të fortë amerikane në lidhje me krizën shqiptare, përfaqësuesi më i lartë i politikës së jashtme amerikane, krahu i djathtë i Presidentit Trump, Sekretari Shtetit Mike Pompeo, i cili para një viti kishte futur Vangjush Dakon, krahun e djathtë të Ramës, në listën e zezë të SHBA-ve, kërkon rikthimin e Shqipërisë në kornizat demokratike dhe avancimin e integrimit të Shqipërisë drejt BE.

Pra, me fjalë të tjera zgjedhje të lira dhe plotësimin e 15 kushteve, pjesa më e madhe e të cilave lidhen me krijimin e institucioneve të drejtësisë dhe nisjen e funksionimit të tyre.

Nga ky këndvështrim, nuk ka dyshim që “eliminimi” i Dvoranit nuk është vetëm një pastrim dhe zhbllokim i Reformës në Drejtësi nga një njeri që e dëmtonte seriozisht cilësinë dhe besueshmërinë e saj, por ajo është një shprehje e qartë e vullnetit perëndimor për t’ia hequr nga duart e pisëta këtë Reformë kryeministrit, që do të thotë të vetmin argument nëpërmjet të cilit ai justifikonte të gjitha “pazaret dhe mashtrimet” e tij.

Është e qartë që aleatët tanë më të rëndësishëm, BE dhe SHBA e kanë kuptuar që ky kryeministër e ka përdorur këtë Reformë në interes avancimit të axhendës së tij , për të shkatërruar opozitën dhe për të asgjësuar demokracinë dhe eliminimi shembullor i Dvoranit është prova më kokëfortë për këtë.