Kryebashkiakja Ademi bllokon shembjet në plazhin e Velipojës: Shembje selektive, të rivlerësohen me transparencë!

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi nuk e ka lejuar IKMT-në sot të shembë ndërtimet e paligjshme në bregdetin e Velipojës, aksion i bashkërenduar me Policinë e Shtetit.

Nga 27 objekte që duhet të ishin shembur, është shembur vetëm një dhe tjetri është çmontuar nga pronari. Por Ademi i ka dërguar mesazh kryetares së IKMT-së, Dallandyshe Bicit, që t’i dërgojë urdhrin e shembjeve.

“Kam nevojë të kem urdhërin e ekzekutimit të IKMT. Ju faleminderit, Voltana Ademi”, i shkroi kryebashkiakja, kryeinspektores.

Por, çfarë kërkon Ademi nga Qeveria dhe pse ka dalë kundër shembjeve në bregdet? Në prononcimin e dhënë para mediave, Ademi tha:

“Unë pardje kam marrë një telefonatë nga Ministria e Mjedisit dhe dje kemi qenë në takim. Ndërkohë që po hyja në takim, jam njoftuarse kishin filluar të rrethonin objektin. Po përdorin edhe emrin e bashkisë Shkodër. Por bëhet fjalë për procedura të ndjekura para disa vitesh, që kanë ndjekur një rrjedhë logjike dhe gjyqësore dhe ne ua kemi vënë në dispozicion.

Kur ishte ministry(Klosi) këtu kemi diskutuar që mbase ishte rasti që të vlerësoheshin të gjithë ndërtimet në bregdet, që ishin stacione plazhi dhe shërbime.

Duhet të keni në konsideratë që Policia e Shtetit në momentin që i lejon duhet të marrë përgjegjësinë për t’i dalë përballë njerëzve.

Unë kam kërkuar zbatimin rigoroz joselektiv të ligjit.

Nëse bëhet fjalë për ndërtime pa leje kam kërkuar që në fillim të sezonit të mos prishen, por të shihej mundësia e verifikimit dhe vënies në shfrytëzim. Nëse do të kishte një vendim për prishje të bëhej në shtator.

Unë do përballem me ministrin, me IKMT, do të bëj ankesën time pranë autoriteteve ndërkombëtare.  Të gjithë që paraqiten për të prishur duhet të shpjegonë edhe ligjin.

Kur ka një vendim të IMT, është bashkia Shkodër që jep urdhrin. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki që IKMT me procesverbal të bashkisë Shkodër të marrë urdhër. E bën urdhrin vet për procesverbalet e veta.

Mungesa e transparenca, përdorimi politik, keqmenaxhimi në dëm të biznesit, dëmi që po shkaktohet . Duhet të merret në konsideratë mirëmbajtja.

Nuk rregullohet vendi duke shkatërruar. Ne ishim në mbledhje dje për këtë qëllim dhe këtu filluan prishjet.

Unë do rri gjithë ditën këtu dhe nëse ka një vendim për prishje unë kam nevojë ta shoh vendimin dhe t’ja tregoj gjithë medias.

Nëse ka vendim për prishje do të duhet ta shohim me të gjitha klauzolat. nuk mund të kemi për njërin ndryshe dhe për tjetrin ndryshe.

Ajo që unë pretendoj është që për të gjithë shembjet të mos bëhen në muajin qershor. Nëse  ka një vendim të mos bëhen tani, të shtyhen. Në momentin që po flasim shumë biznese kanë aplikuar për stacione plazhi.  Ndërhyrja është e paligjshme dhe unë po pres që të kemi urdhrin me shkrim. Ne do të kërkojmë zhdëmtimin që i kanë shkaktuar të gjithë bizneseve”, tha kryebashkiakja.