Kosova hap plotësisht kufirin me Shqipërinë, hiqet testi anti-Covid dhe karantina

Qeveria e Kosovës hap kufirin me Shqipërinë. Nga sot çdo shqiptar që do të shkojë në Kosovë nuk ka nevojë që të paraqesë dokumentin për bërjen testit të COVID-19 brenda 4 ditëve të fundit apo të karantinohet për 7 ditë. Ndërkohë do të ketë kontrolle nga ekipet mjekësore në pikat kufitare.

“Me hapjen e kufijve, IKSHPK rekomandon kontrollin e detajuar për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë, duke marrë shënime të sakta të vend qëndrimit të tyre, numrin e telefonit, dhe përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë për COVID-19”, tha ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Më datën 1 qershor Kosova hapi kufirin me Shqipërinë, por me dy kushte, testin e COVID- it dhe vetë izolimin prej 7 ditësh. Për këto vendime reaguan edhe qytetarët të cilët u shprehën se kjo është e padrejtë. Ndërkohë qeveria e Kosovës kishte vendosur edhe taksën prej 22 euro për kamionët që futeshin në këtë shtet.