Katastrofa mjedisore 11.5 milionë euro e Durrësit

Partia Demokratike ka ngritur zërin sot me forcë ndaj ndotjes së rëndë që po i shkaktohet Manzës dhe Durrësit dhe ka akuzuar bashkëpunimin kriminal të kryeministrit Edi Rama me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako për përfitime prej qindra miliona eurosh, si shkaktarë të kësaj katastrofe mjedisore.

Ferdinand Xhaferraj, kryetari i PD-së në Durrës, dha një deklarët sot në të cilën denoncoi aferën korruptive që pushtetarët po zhvillojnë në kurriz të banorëve të zonës.

“Degradimi i Durrësit ka filluar që në vitin 2007 kur në krye të bashkisë u vu Vangjush Dako e së bashku me të, Mafia dhe krimi, – deklaroi Xhaferraj. – Ka 13 vjet që jemi dëshmitarë të rrënimit të vazhdueshëm të qytetit. Nga të gjithë dështimet e bashkisë, të cilat i kemi parë e i kemi shprehur, pastrimi i qytetit është dështimi më i madh.

Ky dështim vjen nga arroganca, paaftësia dhe korrupsioni. Por ky dështim ka një kosto shumë të lartë për mjedisin e si rrjedhojë për shëndetin e të gjithë qytetarëve të Durrësit.

Në 2018, si pasojë e djegies në qiell të hapur të mbeturinave në Porto Romano, u shpall emergjenca mjedisore. Është bërë një tender korruptiv prej 11,5 milionë euro për ta kthyer fushën ku digjeshin mbetjet në Porto Romano në Eco Park.

Ndërsa janë lëvruar paratë e korrupsionit, nuk ka para për të hequr mbetjet e shpërndara në të gjithë qytetin në fillim të sezonit turistik. Në vend të zgjidhjes së problemit, bashkia vetëm sa kërkoi ta spostonte atë duke çuar mbetjet në Manzë.

Prandaj këtë fundjavë qytetarët e Manzës protestuan pa pushim kundër helmimit të fëmijëve të tyre. Të zëvendësosh një katastrofë mjedisore me një tjetër është dështim i paprecedentë.

Teksa Dako dhe Rama mendojnë si të përfitojnë edhe më shumë nga tenderi i Eco-Parkut, qytetarët e Durrësit dhe të Manzës vazhdojnë e frymojnë mes mbetjeve.”