Grabitet Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, zhduket kasaforta

Është vjedhur gjatë natës Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, e cila gjendet në zonën e Kasharit në Tiranë. Burime bëjnë me dije se janë vjedhur dy kasaforta të këtij institucioni.

Dyshohet se vjedhja është kryer nga dy persona ende të paidentifikuar, ndërkohë që mungesa e kasafortave është konstatuar nga ana e pastrueses, e cila kishte shkuar si çdo ditë të bënte pastrimin e ambienteve.

Sipas verifikimeve të para ka rezultuar se janë sulmuar dy kasaforta, njëra është hapur dhe i janë marrë gjërat apo paratë që ka pasur brenda, ndërkohë që tjetra nuk është hapur dot dhe është rrëmbyer ashtu siç ka qenë.

Autorët më pas janë larguar me një automjet. Burime bëjnë me dije se gjatë orës 15:00 të pasdites së djeshme firma e transportit të parave ka marrë si çdo zakonisht xhiron ditore, ndërkohë që pjesa e mbetur dyshohet se ka qenë rreth 800 mijë lekë të vjetra.

Por shifra e plotë pritet që të dalë pas verifikimit të plotë që do të kryhet. Objekti ruhet me pòlici private, dhe pritet që të merren në pyetje dhe rojet.

Njoftimi zyrtar i policisë Tiranë

Me datë 24.06.2020, rreth orës 07:45, është njoftuar salla operative se gjatë natës, në Kashar, dy persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vjedhur kasafortën e një objekti.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si edhe për identifikimin dhe kapjen e autoreve.