Gjykata pranon provat, a do të dënohet Kajmaku i Ramës?

Përfundon seanca e parë për ish-kreun e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili ndodhet ende në arrati nën masën “arrest me burg” në mungesë.

Gjykata Penale e Tiranës ka pranuar provat e dorëzuara nga Prokuroria dhe avokatët e ish-zyrtarit.

Në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet në datën 18 qershor, ora 10:00 do të merren në pyetje dëshmitarët Gentian Picari, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj.

Kajmaku akuzohet për “falsifikim i vulave dhe formularëve”, “falsifikim i dokumenteve zyrtare” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Agim Kajmaku u denoncua nga Partia Demokratike për fshehje të dënimit në formularin e Dekriminalizimit, pasi nën emrin Jorgo Tota ai ishte dënuar në Greqi për falsifikim parash. Pas hetimeve dhe verifikimeve nga Prokuroria, akuzat e opozitës rezultuan të vërteta, duke bërë që KQZ ta shkarkojë atë nga detyra e kryebashkiakut.

Më pas, Kajmaku u shpall në kërkim policor për shkelje të ligjit të Dekriminalizimit, por edhe për ushtrim të funksionit pas shkarkimit nga detyra, pasi ai kishte firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorë, pasi vendimit të KQZ për shkarkimin e tij.