Fitorja shumëdimensionale nacionaliste e Aleksandër Vuçiç

Enver Bytyçi

Aleksandër Vuçiç është tashmë më i fuqishëm sesa Milosheviçi. Në votimet e djeshme në Serbi ai fitoi 189 vende në parlamentin prej 250 vendesh, duke fituar kështu 75 përqind të deputetëve nga 67 përqind që duhen për ndryshimet kushtetuese. Së bashku me partinë socialiste të Milosheviçit, të drejtuar nga aleati i presidentit serb, Ivica Daçiç, numri i deputetëve aleatë shkon në 221 gjithsej.

Po të shtojmë dhe tre votat e deputetëve të zgjedhur nga pakica shqiptare e Luginës, atëherë bëhen 224 deputetë që mund ta votojnë një iniciativë legjislative për ndryshimin e kushtetutës serbe dhe largimin e Kosovës nga preambula e saj, duke i dhënë fund kakofonisë nacionaliste të 20 viteve të shkuara. E gjitha kjo sa shkrova ishte thjesht një llogari.

Por a e bën Aleksandër Vuçiç një llogari të tillë? Votat e së dielës e shndërrojnë presidentin e Serbisë në një autoritet të pakundërshtueshëm dhe të pakontestueshëm. Përballë Perendimit ai nuk mund të fshihet më pas justifikimit se për ta zgjidhur konfliktin me Kosovën ka si pengesë ndonjë opozitë të mirëqenë. Ka vota me lopatë. Por Vuçiç nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë i gatshëm për t’i dhënë fund konfliktit me shqiptarët.

Ai ka tashmë karta të forta në dorën e tij dhe nuk sheh ndonjë arsye pse të mos i përdor ato. Cilat janë këto karta? 1. Së pari, ai, i ulur në fronin e presidentit-mbret të Serbisë, nuk do të dojë që ta dobësojë për asnjë arsye pushtetin e tij. Ndaj pritet që ta forcojë dozën nacionaliste bazuar në mitologjitë e mesjetës, me qëllim që qytetarët e vendit të tij të shohin tek ai “babin e kombit”, por jo kujdestarin e vëmendshëm që ka merak për mirëqenien dhe liritë individuale të çdo qytetari serb. Kjo do të thotë se qeverisja e tij do të forcojë tiparet autoritare dhe do të ketë më shumë retorikë nacionaliste. Kësisoj lidhja e pushtetit me kishën ortodokse dhe pjesën nacionaliste të akademikëve do të forcohet.

Për këtë arsye Aleksandër Vuçiç nuk do të devijojë nga politikat nacionaliste të paraardhësve të tij, sodmos nga trashëgimia e ish-shefit të tij, Sllobodan Milosheviç dhe nuk do të “dorëzohet” para presionit euro-amerikan për zgjidhjen e konfliktit me Kosovën. 2. Pushtetin absolut të legalizuar nga vota e qytetarëve serbë, presidenti i Serbisë do ta përdorë për të rrit kërkesat e tij në disfavor të Kosovës, si kusht për zgjidhjen e konfliktit. Ai nuk do të mjaftohet vetëm me kërkesën për ndarjen e Kosovës, korrigjimin/ndryshimin e kufijve, as me shkëmbimin e territoreve.

Vuçiç do të kërkojë më shumë se kaq, territore nga Bosnjë-Hercegovina, hiç më pak se 49 përqind të atij territori sa ka Republika Srpska, në këmbim të garancisë se Serbia do të shndërrohet në faktor stabiliteti në rajon. Kjo ndodh gjithnjë me udhëheqësit autoritarë të çdo lloji. Ata, sa më shumë pushtet fitojnë, aq më arrogantë dhe më tamahqarë bëhen. Për kërkesat e tij presidenti i Serbisë ka tashmë edhe ndihmën e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës.

Dje në një koment për Radion Deutsche Welle, Norbert Mappes-Niediek shkruante se: “Ka dy vjet që Vuçiç dhe egoja e tij e vjetër shqiptare, Hashim Thaçi, diskutojnë për këmbimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës”. Nuk ka nevojë për më shumë koment rreth këtij bashkëpunimi. 3. E mira e fitores absolute të Aleksandër Vuçiç lidhet me faktin se ai do të jetë më pak hipokrit. Tashmë ai do të dalë hapur kundër integrimit evropian.

Presidenti serb ëndërron një Serbi “neutrale”, por “të madhe”, të hapur në ekonomi si Zvicra dhe të orientuar nga pikëpamja gjeopolitike drejt Lindjes. Përqëndrimi i pushtetit në duart e tij ia kalon edhe Vladimir Putinit, si dhe Edi Ramës në Shqipëri, ku mungon kushtetuta dhe gjykata kushtetuese. Pushteti në duart e Vuçiç ngjan me atë të Lukashenkos në Bjellorusi. Cilat nga këto qeveri, ajo e Rusisë, Bjellorusisë apo ajo e Edi Ramës, është e interesuar për Europën, demokracinë e vlerat evropiane, për pasojë për integrimin në Europë?!

Aleanca midis Beogradit, Moskës e kryeqyteteve tjera lindore tashmë bazohet edhe në modelin e qeverisjes. Një qeverisje autoritare, e cila ushtrohet nga një person, nuk ka asnjë shans që të orientohet nga integrimet perendimore. Prandaj presidenti i Serbisë do t’i forcojë lidhjet me kryeqytetet lindore dhe politikisht e strategjikisht do të largohet nga Perendimi. Për pasojë interes i tij nuk do të jetë integrimi euro-atlantik. Dhe më tej, ai nuk do të ketë interes politik e gjeostrategjik që Serbia të shndërrohet në faktor paqeje, stabiliteti e qëndrueshmërie në rajon.

Prandaj kush mendon se fitorja absolute prej 75 përqind e partisë së Vuçiç në Serbi do të lehtësojë zgjidhjen e konfliktit me Kosovën, mendoj se gabohet. Kjo nuk do të ndodhë edhe për një arsye tjetër: Beogradi ka strategji ta përçajë politikën në Prishtinë. Nëse ndodh pajtimi pa koston e ndryshimit të kufijve, Serbia humbet mundësinë e artë të provokimeve të vazhdueshme kundër Prishtinës.