Fermerët me Bashën të revoltuar për braktisjen nga qeveria: Hodha në kanal 100 kuintalë…

Kryetari i Partisë Demokratike, Kulzim Basha, gjeti në Berat fermerë të revoltuar nga braktisja e qeverisë, nga mungesa e ndihmës dhe e infrastrukturës që nxjerr një kosto të lartë prodhimi. Fermerët i treguan zotit Basha se janë detyruar të hedhin prodhimet në kanal, se nuk kanë marrë kurrë asnjë subvencion nga qeveria.

“U hodhën poshtë sallatorët, humba 100 kuintal. S’kishte kërkesë fare. E hodha në kanal. Humba shumë se nafta ka shumë shpenzime”. – tha një fermer, ndërsa një tjetër tregoi se nuk ka marrë kurrë subvencione.

“Unë aq sa e kam, prej 10 vitesh as një diçka nuk kam marrë nga shteti.”- i tha një fermer tjetër kreut të opozitës. “Nuk e mbuloj dot as koston. Jam detyruar të vendos ullinj poshtë, ku kam pemëtari, se s’kemi ç’bëjmë, t’i presim te bëjmë dru nga e keqja. Nuk ia dilet! Plehrat kimike që hedhim ne aty me pikatore, ajo është pikë gjaku për ne, se janë shumë shtrenjtë. Të hash atë domate me 4 mijë- 6 mijë lekë kilen e plehut është tmerr!”- tregoi vështirësitë e mëdha një fermer.

“Dy gjërat kryesore që duhen bërë urgjentisht. E para, mbështetja për çdo fermer në bazë të prodhimit. Siç i mbështet Maqedonia dhe Kosova.

S’po them si i mbështet Gjermania, por, të paktën, aq sa ç’bëjnë në Kosovë, do të bëjmë edhe ne për ju. Dhe e dyta ulja e çmimit të naftës që të paktën t’i shikoni hajrin punës, jo ta punoni gjithë sezonin dhe pastaj ta hidhni prodhimin në kanal. Do të ndërmarrim masa që prekin të gjithë njerëzit ,por që do t’ju ndihmojnë në veçanti ju, siç është ulja e çmimit të karburantit.

240 lekë më lirë do të jetë karburanti, sepse ne do ta heqim taksën e qarkullimit që vuri ky. 2 herë nga 100 lekë plus TVSH, 240 lekë më lirë do ta blini karburantin. Treg i monopolizuar, përfitojnë 5 veta, ndëshkoheni ju që jeni prodhuesit, ndëshkohen dhe konsumatorët. Pse? Sepse fitojnë vetëm 5 veta.”- u shpreh zoti Basha.

Një problem që u ngrit pothuajse të gjithë fermerët ishtë mungesa e linja të energjisë elektrike dhe çmimi i saj i lartë. “Korenti paguhet 168 lekë, po të vadisësh domatet me 168 lekë korentin. Të paktën të ishte sa i furrës së bukës”- tha një fermer në Berat. “Shteti s’na e bie korrentin këtu. Tërë ato sera këtu, na e sill. Të jap unë atë kontratën. Sa do? 1 milionë. Do ia jap unë kontratën.

Një herë ta bëjmë kontratën, edhe paguaj detyrimet që më takojnë.”- u shpreh një fermer, ndërsa një tjetër iu bashkua kreut të opozitës në domosdoshmërinë e bashkimit pëe të bërë betejën që qeveria të mbrojë interesin e qytetarëve.

Fermeri: Të vijë ajo energjia këtu do të jetë gjë e madhe.

Basha: Duhet të keni shtetin në krahun tuaj si fillim. Nuk kërkoni lëmoshë, ju thjesht kërkoni mundësitë për të punuar. Na pret një betejë për ta bërë këtë.

Fermeri: Pse mos ta bëjmë?

Basha: Shteti sot në krahun e pesë vetave është. Ju punoni nga mëngjesi deri në darkë në sera, nëpër ara, për të përfituar 5 veta. Kësaj do t’i japim fund. Për këtë ju jap fjalën. 5 veta nuk do të jenë më padronët e Shqipërisë e të djersës tuaj. Ky shtet sillet si bandë me njerëzit, prandaj kemi ardhur këtu ne. Nuk sillet që t’ju mbrojë edhe të promovojë interesat tuaja, t’ju ndihmojë, po ku e ku t’ju vërë shkelmin në fyt. Prandaj duhet të ndryshojë një orë e më parë. Këtë kam ardhur t’ju them, një orë e më parë, që ta keni shtetin në krah e jo ta keni kundër.”- theksoi kreu i opozitës gjatë bashkëbisedimit me fermerët në Berat.