Eurodeputetja Von Cramon: Macron bllokoi heqjen e vizave për Kosovën

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka polemizuar me Richard Grenell – emisarin e presidentit amerikan Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi, i cili po e kritikon Bashkimin Evropian për mos liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në debatin mes raportueses Von Cramon dhe emisarit amerikan Richard Grenell është përfshirë edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli duke thënë se është momenti i fundit që pas rekomandimit të Komisionit Evropian, shtetet e BE-së ta japin dritën e gjelbër për liberalizim të vizave.

Von Cramon, duke iu përgjigjur Pacollit, ka thënë se i takon Këshillit Evropian që të vendos për këtë çështje.

“Siç ia kam shpjeguar Richard Grenellit, i takon Këshillit Evropian të vendosë për këtë çështje. Fatkeqësisht. Por, nëse dëshironi të luani një rol konstruktiv këtu merrni në telefon dhe pyesni Emmanuel Macronin pse nuk është i gatshëm t’i heq vizat për Kosovën dhe do të habiteni me përgjigjen e tij”, ka shkruar Von Cramon.

Fillimi i normalizimit të transportit ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë, ishin në fokus të agjendës së të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Richard Grenell.

Polemika ndërmjet emisarit Grenell dhe raportueses Von Cramon ka nisur të premten, kur raportuesja e BE për Kosovëm, ka hedhur akuza ndaj Administratës Trump dhe të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ajo në Twitter, kishte pyetur nëse marrëveshjet në fjalë mes Kosovës dhe Serbisë, kishin ndonjë rezultat, njofton Telegrafi.

Grenell i reagon Von Cramon: Në vend që ta kritikoni Administratën Trump, pse nuk fokusoheni në liberalizimin e vizave për Kosovën
E ndaj saj ka reaguar Richard Grenell.

Përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se Viola Von Cramon, është duke u ankuar që 20 vjet dhe nuk po bën asgjë.