Eksperti: Rritja e infektimeve është pasoja e masave absurde dhe dështimit të qeverisë

Shqipëria regjistroi 36 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, numri më i lartë i konfirmuar zyrtarisht nga nisja e epidemisë.

Zyrtarët e qeverisë thanë se shkak për këtë shpërthim janë bërë grumbullimet e qytetarëve. Por eksperti Erion Dasho nuk mendon kështu. Ai ka publikuar madje një letër të hapur për Këshillin Teknik të koronavirusit.

LETRA

Të nderuar anëtarë të Komitetit anti-COVID!

Si dhe shumë kolegë të tjerë dhe qytetarë, ndoqa me shqetësim komunikimin tuaj të fundit rreth situatës së COVID në Shqipëri dhe kam një vërrejtje thelbësore rreth asaj që komunikuat.

SHKAKU I RRITJES SE NUMRIT TË RASTEVE COVID NUK JANË GRUMBULLIMET E QYTETARËVE. KËTO TË FUNDIT JANË PASOJAT E PËRAFRIMIT TUAJ TË DËSHTUAR!

Në gjithë vendet europiane ku përafrimi ndaj COVID nuk u bazua tek masat absurde ka rënie të numrit të rasteve të diangostikuara, të hospitalizuara dhe të intubuara.

Në të gjithë vendet ku mbrohen dhe ndërgjegjësohen të moshuarit dhe të sëmurët, nuk ka komplikacione dhe shtrime në spital.

Në të gjithë vendet ku mjekët dhe infermierët mbrohen dhe sistemi shëndetësor u riorientua për t’ju përshtatur epidemisë së COVID nuk ka transmetim të SARS-CoV-2 në strukturat e sistemit shëndetësor.

Ju lutem, merrni urgjentisht këto masa:

1. Zbatoni urgjent një program për parandalimin e COVID në strukturat shëndetësore: hartoni protokolle, trajnoni stafin, pajisini ata me mjete mbrojtëse, ushtroni kontrolle të rrepta që masat parandaluese të respektohen në çdo kohë nga i gjithë personeli dhe pacientët.

2. Konceptoni dhe zbatoni një fushatë komunikimi, ku të sqarohet se COVID është dobësuar, por nuk është larguar! Ai ende përbën rrezik për të moshuarit dhe personat e prekur nga sëmundje kronike. Drekat dhe darkat familjare që kanë qënë kaq të shpeshta këto javët e fundit duhen ndaluar. Të moshuarit duhet të vazhdojnë të zbatojnë distancimin fizik dhe social, në se duan të mbrojnë shëndetin dhe jetën e tyre.

3. Konceptoni dhe zbatoni sa më shpejt një program për të kapërcyer pasojat e dëmshme shëndetësore të izolimit tre mujor. Qytetarët ndoqën për tre muaj rresht këshillat tuaja absurde dhe sot imuniteti i tyre është dobësuar, shumë prej tyre janë prekur nga mbipesha dhe jeta sedentare, situata ekonomike e rënduar ka ndikuar negativisht në ushqyrjen e tyre. Një program për rigjallërimin e jetës ekonomike dhe sociale nën masa mbrojtëse të arsyeshme është domosdoshmëri.

Shpresoj që këshillat të mos bien në vesh të shurdhër!