Edi Rama mburret me “djalin” e Sali Berishës…

Nga Agim XHAFKA

Para ca ditësh Edi Rama, bashkë me Belinda Ballukun, përuruan baypassin e Fierit.
Duke ecur mes asfaltit të ri lëshonin fjalë të ‘gëzueshme’. Javën që vjen nis asfaltimi i baypassit të Vlorës, pastaj studimi i tunelit të Llogarasë, më tej rruga Thumanë-Fier e gazplotë i hipën makinave dhe lanë pas tymin e zi.

Edi Rama e di mirë, siç populli mbarë, se baypassi i Fierit është ‘djali’ i Sali Berishës. Ai projekt u ngjiz në qeverisjen e tij dhe thuajse 60% e punës u krye kur ishte Saliu kryeministër.

E mira do qe që në këto raste të ftohej dhe Berisha. Të ishte atje si njeriu që materializoi këtë segment aq të dobishëm për gjithë shqiptarët.

Edi Rama vazhdon me këtë metodë mburravece thuajse prej shtatë vitesh. Ja, krejt investimi i TAP, që u sigurua nga Berisha, u shit si arritje e Ramës. Në fakt ai solli veç TRAPIN deri tani.
Po kështu dhe Hidrocentrali i Banjës. Për të mos vazhduar me plot ujësjellësa e rrugë e shkolla.
Po pse Rama bën sikur këto investime i ka siguruar qeveria e tij?

Pse shfaqet aq buzagaz në inagurimet e projekteve të nisura nga të tjerët? Përgjigja është e thjeshtë; nga që ai vetë e ka bilancin zero në këtë fushë. Po hyn në vitin e 8-të e akoma nuk ka një vepër filluar e mbaruar prej qeverisë Rama. Të paktën diku le të ndërtojë një rrugicë qoftë dhe 100 metër dhe t’i vendosë emrin e tij se ndryshe do harrohet që ka qenë kryeministër i Shqipërisë.

Këtë metodë propagande e zbaton dhe Lali Eri. Plot punë të Bashës si ish-kryebashkiak i Tiranës i paraqet si të vetat. Kështu mburret me bulevardin e ri, me pazarin, me… Në fakt s’ka me se tjetër. Se as plehrat nuk mbledh dot bashkia e tij. Është kampion për leje ndërtimi, për kulla dhe për beton.

Socialistët mbushën shtatë vjet që mburren me ‘djalin’ e Berishës. E lakojnë autostradën e Elbasanit si të vetën, paçka se deshën dy vjet të riparonin 100 metër të saj. Po atë e ngjizi Saliu, o të mjerë!

Prit kur ndonjë ditë të dalin nëpër ekrane e të shpallin me bujë se dhe Rrugën e Kombit e ndërtoi qeveria e Ramës.

Para ca ditësh Rama përuroi baypassin e Fierit. I ndriste fytyra dhe i rridhnin fjalët lumë. Por dukej që ishte ‘shtatëzanë’. Shqiptarët e thonë zëplotë se ajo vepër është ‘djali’ i Berishës.

Sjellje të tilla janë tipike socialiste, të majtistëve që harxhojnë pa hesap paratë që mbledhin qeveritë e djathta. I harxhojnë ato, hyjnë në borxhe dhe pastaj dalin në opozitë derisa shëndoshen buxhetet e shtetit.

Më pas i turren financave të shëndetshme deri sa i shterojnë sërish. E ka thënë Çërçilli për socialistët. Dhe e ka qarë. Ramën me siguri do ketë pasur si shembull atë çast kur formuloi këto fjalë të arta…