Dyndja nëpër plazhe, Greqia raporton rritje të ndjeshme të infektimeve me koronavirus

Autoritetet shëndetësore në Greqi thanë se ka pasur 97 raste të reja me koronavirus që nga e enjtja, nga të cilat 52 në 24 orët e fundit, rritja më e madhe ditore që nga 23 prilli.

Tridhjetë nga 97 rastet përfshijnë udhëtarët e ardhur nga jashtë, thanë autoritarët.

Rritja në raste ka çuar në vendimin për të rifilluar njoftimet ditore, të cilat ishin braktisur dhe që tani duket si veprim i nxituar.

Meqenëse numri i infeksioneve nga koronavirusi tregoi një rritje të papritur në ditët e shkuara në Greqi, autoritetet shëndetësore po rifillojnë paralajmërimet e përditshme publike për t’i sensibilizuar grekët për rrezikun që u kanoset nga mosrespektimi i masave.

“Ne duhet të jemi në gatishmëri, duhet të jemi vigjilentë dhe duhet të kuptojmë se çështja e evolucionit të virusit lidhet me secilin prej nesh individualisht,” tha Zv.Ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias për Agjencinë e Lajmeve Athinë-Maqedoni të hënën.

“Virusi është në rënie, por kjo nuk do të thotë se ka ikur”, paralajmëroi ai, ndërkohë që grekët ishin dyndur në plazhe dhe në pikat e pushimeve për fundjavë.

Duke komentuar vendimin e Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik (EODY) për të rifilluar paralajmërimet e përditshme – që ishin zëvendësuar shkurtimisht nga një njoftim javor në fillim të qershorit, kur Greqia po tregonte normë të ulët të rasteve të reja – Zv.ministri Hardalias tha se “nëse çdo qytetar zbaton masat paraprake të sigurisë, do të jetë shumë më e lehtë për të parandaluar grupimet dhe ngarkesat virale”.