BIRN zbardh aferën: Ministrja e Thaçit pagoi 168 mijë euro kompaninë franceze për lobim për ndarjen e Kosovës

Hulumtimi i BIRN-it se në vitin e kaluar paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve, ka nxitur reagime të shumta nga politikanë e diplomatë dhe jo vetëm.

Hulumtimi zbardhi se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Europiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohet nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Ndërkohë që për një veprim të tillë, Jasmin Mujanoviq, analist politik, specializant i shkencave politike për politikën e Europës Juglindore tha se ndoshta kjo mund të jetë hera e parë në histori që një qeveri paguan lobistë për ndarje të territorit.

Mujanoviq përmes një postimi në Tëitter e quajti edhe shqetësues dhe imazh të keq për presidentin Hashim Thaçi.
“Ky është një shkrim i egër dhe shqetësues, dhe ndoshta hera e parë në histori që një qeveri, në këtë rast e Kosovës- ka punësuar lobistë të huaj për të bindur bashkësinë ndërkombëtare për ndarje të territorit të saj. Kjo me të vërtetë është një pamje e keqe, për presidentin Thaçi,” u shpreh Mujanoviq.

Përveç kësaj, edhe gazetari dhe korrespodenti i ‘The Economist’ Tim Judah, në Tëitter u shpreh se nga përvoja që ka me politikat në Ballkan këto kompani lobuese janë totalisht të padobishme.

“Storje e shkëlqyeshme nga Jeta Xharra. Do doja të ju bëja me dije të gjithë liderëve të Ballkanit. Gjatë gjithë viteve të mia në mbulimin e politikave në Ballkan mund t’ju them se këto kompani promovuese janë totalisht të padobishme. Ato do ju harxhojnë paratë dhe nuk do prodhojnë asgjë vetëm nëse jeni duke marrë një të ‘shtyrë nga mbrapa”, u shpreh Judah.

Kurse Ditmir Bushati, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme e quajti të tmerrshme dhe se sjellja e kësaj teme në tavolinë të diskutimeve dobëson Kosovën ndërkombëtarisht.

“Shpalosje e një storje të shëmtuar nga Jeta Xharra. Sjellja e temës për shkëmbim territoresh në tavolinë dhe drejtimi i gjithë procesit se si Serbia duhet të kompensohet për t’i dhënë fund konfliktit me Kosovën përmes një njohje eventuale si shtet, dobëson pozicionin e Kosovës si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”, u shpreh Bushati në rrjetin social “Tëitter”.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt reagoi ndaj hulumtimit të Jeta Xharrës, i cili tregonte prapaskenat e një kontrate të Ministrisë së Integrimeve Europiane me një kompani franceze në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

“Çfarë storje. Vërtet të bën të mendosh rreth definicionit për shërbimin publik për njerëzit dhe vendin”, shkroi ambasadori Heldt në Tëitter.