BE dhe Departamenti i Shtetit kundër ndarjes së Kosovës

Të gjitha shtetet anëtare të BE janë kundër idesë së korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Euobserver një zyrtar i Bashkimit Evropian teksa ka folur për një takim të ambasadorëve të shteteve anëtare në Komitetin për Politika dhe Siguri në Këshillin e Bashkimit Evropian.

“Shumë shtete anëtare… ishin shumë të qarta rreth refuzimit të një ideje të tillë. Nuk kishte asnjë anëtar të vetëm për të thënë ndonjë fjalë në favor të kësaj ideje”, ka thënë ky zyrtar i BE-së, transmeton Gazeta Express.

Gjithashtu për Euobserver nga Departamenti i Shtetit kanë thënë se çështja e shkëmbimit të territoreve s’ka qenë asnjëherë pjesë e diskutimeve të Përfaqësuesit Special Presidencial.

“Ajo që unë mund të iu them, është që shkëmbimi i territoreve asnjëherë s’ka qenë pjesë e bisedimeve të Përfaqësuesit Special presidencial”, ka thënë ky kontakt brenda Departamentit të Shtetit.