Bardhi i përgjigjet Ramës: Frika dhe mllefi tregon qartë se nuk i mjaftojnë më as paratë e pista dhe krimi i organizuar për të vjedhur zgjedhjet

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhin ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama. Bardhi shprehet ndër të tjera se, frika dhe mllefi sot dhe mbrëmë tregon qartë se nuk i mjaftojnë më as paratë e pista dhe krimi i organizuar për të vjedhur zgjedhjet.
“Bashkimi i qytetarëve kundër tij e ka tmerruar, duke e kthyer në një komentator qesharak, që flet me veten!”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

Reagimi i plotë i Bardhit

Edi Rama bën mirë të rrisë dozën e qetësuesve për të mbajtur nën kontroll nervozizmin pas tërheqjes me bisht ndër shalë nga skema mafioze për kapjen e komisioneve zgjedhore.

Frika dhe mllefi sot dhe mbrëmë tregon qartë se nuk i mjaftojnë më as paratë e pista dhe krimi i organizuar për të vjedhur zgjedhjet. Bashkimi i qytetarëve kundër tij e ka tmerruar, duke e kthyer në një komentator qesharak, që flet me veten!

Sa për vjedhjen e zgjedhjeve e 2017-ës, Edi Rama nuk do ketë më mundësi t’i fshihet kushtit nr.5 të BE për hetimin dhe dënimin e hajdutëve të zgjedhjeve të 2017-ës. Përgjimet e publikuara nga BILD i ka dëgjuar bota mbarë, që nga Niçja i drogës tek Gjushi i Ramës, i shpallur non grata nga SHBA.

PD dhe Opozita e Bashkuar nuk tërhiqet asnjë hap nga presioni dhe kurthet e Edi Ramës. Mbrëmë i çmontuam kapjen e komisioneve zgjedhore. Bashkë me shqiptarët do të mbrojmë çdo votë dhe do të fitojmë! ✌️#ditëmëtëmira