Akuza për krime lufte ndaj Thaçit, reagon Albin Kurti: Besoj në pastërtinë e luftës së UÇK

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka folur para mediave para selisë së partisë, pas lajmit për aktakuzë nga Prokurori i Specializuar për presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK’së, Kadri Veseli, raporton Gazeta Express. Kurti ka thënë se ajo që po shihet sot është si pasojë e gabimeve që janë bërë më herët.

“Pasnesër bëhen 5 vite kur pat dështuar amandamentimi i Kushtetutës për nenin 24-të që i hapte rrugë formimit të Gjykatës Speciale, me 3 gusht sivjet bëhen 5 vite kur i njëjti nen si amendament kaloi pas trysnisë së paparë që u reflektua me përdredhje duarsh të deputetëve. Ajo çka po shohim sot është pasojë e re e gabimeve të mëhershme”, ka thënë ai.

Pa e përmendur me emër presidentin, Kurti ka thënë se lufta e UÇK’së është e drejtë.
“Nuk e di a është ashtu, por e di që lufta e UÇK-së është luftë e drejtë, është luftë kundër një agresori dhe okupatori, i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë veteranët e invalidët e UCK’së edhe politikisht edhe historikisht janë në të drejtën e tyre”, thotë ai.

Lideri i LVV’së, thotë se ngritja e aktakuzës për presidentin e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“S’do mend se kjo ngritje e aktakuzës e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një takim i tillë nuk do të mund të ishte i dobishëm në rrethanat e tjera të krijuara. Unë besoj në pafajësinë e UÇK-së, dhe mendoj që Kosova është dashur qysh moti ta ketë gjyqësinë e vetë të paanshme që të hetojë gjykojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes dhe mbi të gjitha ato që janë shkaktuar nga Serbia në Kosovë, dmth VV ka kontribuar në dy momente të rëndësishme”, tha Kurti.