A do të japë dorëheqjen? Ja si përgjigjet Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur para mediave për akakuzën e Prokurorisë së Hagës për vrasje të paligjshme dhe krime lufte. Kreu i shtetit kosovar u shpreh se dorëheqjen do të japë në momentin që të konfirmohet aktakuza.

“Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam.

Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Një shtet evropian e një shoqëri multi-etnike. I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike.

Të dashur qytetarë, Duke ju falënderuar të gjithëve që me keni çuar fjalë dhe mesazhe inkurajuese, ju uroj nga zemra çdo të mirë. Ju falënderoj për vëmendjen! Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar!”, tha Presidenti.