Manastirliu njofton hapjen e transportit publik, por…

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar hapjen e transportit publik, por pa dhënë datë, ndërkohë që shoqatat e transporteve janë në protestë të cilët kanë refuzuar rikthimin në punë pa ju plotësuar disa kërkesa që kanë të bëjnë me taksat dhe akcizat.

Manastirliu ka njoftuar gjithashtu se situata epidemiologjike është e qëndrueshme por rastet po shtohen, ndërsa paralajmëroi se nëse trendi vijon në rritje, do të rihapet spitali ‘Shefqet Ndroqi’ dhe Covid-4 në rrugën Tiranë-Durrës.

“Situata epidemiologjike ka pasur një shtim të rasteve të infeksioneve dhe shtrimeve në Spitalin Infektiv, ndërsa bëj thirrje për përdorimin e maskave, dorezave dhe distancimin social. Nëse në fazën e parë ia dolëm me sukses të zbusnim infeksionin falë masave të marra, duhet të tregojmë kujdes. Po vijojnë pa ndërprerë punën për të menaxhuar situatën.

Nëse ne nuk duam të shikojmë atë çfarë ndodhi në vende të tjera ku gati kaloi në kolaps sistemi shëndetësor, secilin duhet të bëjë punën e tij. Të mbrojmë personelin mjekësor. Kemi marrë gjatë këtyre 3 muaj të gjitha masat. Nëse do të kemi shtim të rasteve do të rihapet spitali ‘Shefqet Ndroqi’ dhe nëse sërish numri shtohet, do të hapim spitalin Coviod-4 në rrugën Tiranë-Durrës.

Komiteti Teknik i ekspertëve ka vendosur vijimin e transportit publik ndërqytetas dhe brenda qytetit por duke respektuar një plan të caktuar masash. Nuk do të ketë asnjë tolerancë nëse do të konstatohet moszbatimi i masave”, tha Manastirliu.