Vota e Parlamentit Europian ‘grisi’ Rilindjen

Nga Gentian GABA

‘Deri kur do të shpërdorosh o Katilinë durimin tonë?’ (‘Quousque tandem abutere, Catilina, patientia nostra?). Me këto fjalë Ciceroni, filozof, avokat, shkrimtar latin dhe një nga personazhet politike kryesore të periudhës së fundit të Republikës Romake, ka hapur veprën e tij Katilinaret, në të cilën përmbledh ligjërimet në Senat kundër Katilinës, i cili me anë të një komploti u përpoq të merrte pushtetin në mënyrë të dhunshme për të përmbysur Republikën. Një shprehje që ndër shekuj është shndërruar në togfjalëshin me të cilin denoncohen ata që abuzojnë indulgjencën e bërë ndaj tyre, dhe që sot mund të përdoret me të njëjtat tone akuzuese ndaj kryeministrit Rama që kokëfort cicëron për 15 kushtet. Më saktë, për mungesën e tyre.

Paçka se, si asnjëherë më parë, Parlamenti Europian votoi me një mazhorancë prej 388 votash, duke bashkuar të majtë e të djathtë, një amendament që konfirmonte vendimin e Ministrave të BE-së të mbledhur virtualisht më 24 mars 2020, për të çelur me kusht negociatat; Edi Rama abuzon me durimin e gjithkujt duke mohuar 15 ‘urdhëresat’ europiane.

Sidoqoftë, sado indinjues për këdo që mund të aksesojë lirshëm lajmet e përtej Adriatikut, ky qëndrim nuk e fsheh dot të zezën që ndodhet mbi të bardhën e draftit të publikuar dhe miratuar, i cili nuk ndëshkon qytetarët shqiptarë, por qeverinë tonë. E cila, përpara se të ulet në tryezën e shumëpritur europiane, duhet të bëjë detyrat e një shtëpie që është kthyer përmbys prej atij që sot është i pari i saj. Detyra shtëpie që homologu lindor i Ramës, Zaevi, i kishte kryer prej kohësh, duke marrë një PO të pastër, pa kushte për negociatat.

Një PO ndaj Maqedonisë së Veriut që hedh poshtë pretendimet e kryeministrit tonë se Europën na e pamundësojnë forcat anti-BE, dhe jo dëmet që ai i ka shkaktuar rendit ligjor përgjatë mandateve të tij. Një PO ndaj Maqedonisë së Veriut që e shkëput fatin e dy vendeve në rrugën drejt Brukselit, dhe që do të mund të rilidhet kur 15 kushtet të jenë përmbushur duke sjellë normalitetin politik dhe institucional në vend.

Sesa do të zgjasë vonesa jonë, sesa kohë do të duhet për të mbushur humbellën midis nesh dhe Maqedonisë së Veriut, varet nga shpejtësia me të cilën do të kuptohet, për ata pak miq që i kanë mbetur Ramës brenda dhe jashtë vendit, se Shqipëria e vizatuar nga kryeministri nuk përkon me shtetin funksional që presin në tryezën e parë ndërqeveritare me BE-në. Se demiurgu i këtij kaosi, nuk mund të jetë ai që vullnetarisht pranon një kushtëzim që hedh poshtë narrativën fiktive të quajtur ‘Shqipëria që duam’, për të përqafuar Shqipërinë që shohin të gjithë, përvec atij.

Në Europë nuk ka vend për këto dy Shqipëri. Madje nuk ka vend as për atë që shfaqi çrregullime bulimike për pushtet, të cilat Komisioni i Venecias vijoi t’ia ekspozojë edhe këtë të premte, duke dëshmuar edhe njëherë që mungesa e Gjykatave të Epërme u interpretua nga Rama si një mundësi e artë për të nginjur fantazitë më absolute për të sunduar dhe për të shkatërruar. Shembja barbare e Teatrit ka qenë jo pak përcaktuese për votën e shumë prej 388 eurodeputetëve.

Prandaj, paçka mohimit si formë klasike e vetëmbrojtjes, kushtet janë një lajm i keq për Ramën dhe një lajm i mirë për shqiptarët. Sepse janë shpata e Demokleut mbi kokën e kryeministrit, dhe kanë forcën që nëpërmjet trysnisë politike ta orientojnë vendin drejt normalitetit të mohuar dhe të frenojnë babëzinë kryeministrore deri në zgjedhjet e ardhshme. Për ironi të fatit, dhe për fat të opozitës, vota e Parlamentit Europian erdhi po atë ditë në të cilën Rama kërcënonte ‘grisjen e marrëveshjes’.

Sigurisht dy ngjarjet nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën, por janë pjesë e ngjarjes së madhe që janë 15 kushtet, ku ndryshimet zgjedhore përfaqësojnë nisjen e implemetimit të vullnetit të vendeve që i kanë imponuar ato por edhe të eurodeputetëve që duke votuar pro ‘amendamentit’, ‘grisën’ përfundimisht Rilindjen dhe maskat e shumta të saj./Mapo.al