Nga e shtuna në të shtunë në qytetin e lirisë…

Nga Albert AVDULI

Reportazh i cunguar

Të shtunën e dt 7 mars ka qenë dalja e fundit nga Tirana. U ktheva nga Shkodra dhe mbas dy ditësh ndodhi mbyllja e madhe pandemike.

Ironia mer përmasa fantastike po ta mendosh se lirinë e ke humbur mbas vizitës dhe kthimit nga ai qytet, nga qyteti i lirisë, nga porta e Perëndimit tonë.

Nga ujrat detare, liqenore dhe lumore të atij qyteti vinte flladi i perëndimit edhe kur kufijtë ishin betonuar me zinxhira plumbash. Si mentalitet Rome e Vjene ka shërbyer, por edhe si lindje, gjenezë, ekzistencë dhe shpresë për gjithë kombin. Mesa duket, në themelet e kështjellës legjendare, veç mitit të Rozafës atë ditë mbylla dhe lirinë time e të familjes.

Që prej asaj të shtune të marsit, kjo është e shtuna e parë, në të cilën guxova të dal prej Tirane.
Vërtetë që liria e lëvizjes ka ardh e cunguar prej dy a tre javësh, por unë ngurroja të ulesha në sediljen e shoferit.

Ndruhesha se mos kisha humbur reflekset e drejtimit të autoveturës, ndruhesha dhe pyesja veten nëse më lejohet ta kap timonin mbasi timonin ne ja kemi dhuruar “timonierit”.

Ngurroja të dilja sepse mbyllja nuk erdhi vetëm me dekret qeveritar, jo, u shoqërua dhe realizua me flotën e tankeve të ushtrisë dhe automatikët e ushtarëve robotikë. Tirana e atyre ditëve më kujtonte Pragën e pushtuar nga ushtria e kuqe sovjetike, ankthin që përfshin një popull kur sundohet nga të huajt.

Përjetohet me marramendje rikthimi i lirisë, kur të merret në atë mënyrë dhe pastaj e fiton me njoftime të paqarta e kaotike.

Gjithësesi dola pra dhe sot ndodhem në një qytet bregdetar, në resortin ku zakonshëm vija qershorëve në motet pararendëse.

Është ora 09:40′ tani dhe bregdeti ndihet ende i traumatizuar dhe dihat teksa frymon sikur vjen nga një maratonë e lodhëshme. Ulem te tavolina e zakonshme, e vjetër e njohur dhe djali i shërbimit ma sjell kafen në një filxhan të kaltër, aq blu sa duket se do pi detin. Edhe në banak, djem qenkan ata që lëshojnë çaf- çufet e ekspresit. Aha, s’paska vajza të buzëqeshura në shërbim, ndaj ambjenti kafenesë nuk më dukej miqësor si vitet e tjera.

Vëllimi me poezi nga Borges rri pashfletuar në tavolinë. As gjenia e tij nuk më ndihmon ta vendos veten në dimensione të tjera humane e ndonjëherë mbinjerëzore. Po shkruaj mbinjerëzore si humanizëm i përsosur ndjenjash e përjetimesh, jo si mbinjeriu i Niçes.

Në boshin flegmatik mjedisor, çohem dhe qëmtoj detaje nga ambjentet e njohura. Ja, pishina ende nuk është mbushur, ura e drunjtë mbi të, e harkon kot trupin e bukur, asnjë fëmijë nuk e lakmon, nuk hipën mbi kurrizbarkun e bukur. Pinguini qeramik mban kokën e dushit në mënyrë stoike dhe nuk di nëse mund të lëshoj currila uji. Nuk ka as trupa elegant femrash apo lëkurë të nxirë djemësh ku të provohet piskama freskuese e tij.

Ulliri e ka vënë veten midis lulesh si një autoritet midis truprojave. Është aq i bukur ai ulli sa veç me lule mund të shoqërohet e mbrohet. Shëtitorja hesht dhe në vend sa të numërojë nënat e reja me karroca fëmijësh, kthehet e rinumëron palmat e veta. Ndenjëset e shtrira të plazhit dremitin mbi rërën e hirtë dhe mahniten nga bardhësia apo trupi i çeliktë i disa anijeve të cilat presin çastin të futen në portë.

Më trishton kjo gjendje dhe e ndjej se qytetet tona, ekonomia jonë, do ta kenë vështirë të mbyllin plagët e kësaj sëmundje të rëndë. Tepër mund do harxhojnë sepse nuk u mjekuan, u lanë të vetëm në lëngatën e tyre natyrore. Dhimbem nga ky mendim, por sidoqoftë, mbas disa muajsh izoluar në Tiranë, sot po ndihem më mirë, më me shpresë. E paskam patur kaq të nevojshme shkëputjen nga qyteti i kullave dhe betoniereve, largimin nga ekranet ku çdo çast shfaqen disa personazhe, të cilat më shumë sesa administrator, qeveritarë, mjek, analistë apo psikologë i kam perceptuar si kasandra ngarkuar me lajme të këqia.

Lëvizja, deti, natyra, mali, lumi, pylli janë ilaçi për të rimbledhur fuqinë, por unë e di se nëse thyem dekretin e burgosjes tashmë po përballemi me pengesa më të rënda.

Prangat e reja janë pamundësia ekonomike dhe kjo na privon nga liria, nga rreshti i atyre çfarë shënova më sipër.

Kaq optimizëm më lejon e shtuna e parë jashtë Tirane.

1 73

2 52

3 42

4 30