Zëdhënësja e KE: Shqipëria duhet të realizojë miratimin e reformës zgjedhore para Koferencës Ndërqeveritare me BE

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Partneritet Ndërkombëtar, Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero shprehet se, para konferencës ndërqeveritare, Shqipëria duhet të realizojë miratimin e reformës zgjedhore, garantimi i financimit transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore, si dhe të garantohet vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi.

Pisoneri u shpreh për Euronews.al se më së shumti duhet të përforcohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, teksa nënvizon faktin se këto nuk janë 15 kushtet.

Ajo shton më tej gjatë fjalës së saj se pjesa e tjetër e kërkesave lidhet me kuadrin negociues dhe nga vendi kërkohet që ato të plotësohen gjatë procesit të negociatave.

“Përfundimet e Këshillit të Marsit kanë përcaktuar qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria para konferencës së parë ndërqeveritare. Kjo lidhet me: miratimin e reformës zgjedhore; garantimi i financimit transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore; garantimi i vijimit të zbatimit të reformës në drejtësi.

Shqipëria duhet gjithashtu të përforcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto nuk janë 15 kushte”, thuhet në deklaratën e dërguar nga zëdhënësja e KE.
Përballja me fenomenin e aplikimeve të pabaza për azil, garantimi i riatdhesimit të tyre, si dhe ndryshimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ishin gjithashtu përparësi të rëndësishme”.

“Për më tej, përfundimet e Këshillit parashikojnë se Kuadri Negociues do të reflektojë një numër çështjesh që Shqipëria do të vijojë t’i adresojë në periudhën e ardhshme, dhe si pjesë e procesit të negociatave. Puna në këto fusha po vijon për momentin. Komisioni do të vijojë të monitorojë përparimin e vendit në të gjitha fushat dhe të mbështesë përpjekjet vijuese të Shqipërisë”.