Kur akti normativ me gjoba për mediat e qytetarët vjen si sukses në Kuvend!

Nga Bardh SPAHIA

E turpshme se si parlamenti, që ka funksion kontrollin e ekzekutivit, thjesht duartroket qeverinë!!!! E pështirë paraqitja e ndryshimeve të sjella në kuvend, në aktin normativ për masa të reja administrative (gjoba për mediat e bizneset) gjatë kohëzgjatjes së periudhës së pandemisë. Në paraqitjen e situatës, ministrja e shëndetësisë reciton vjershën e njohur, se qytetarët nuk zbatojnë protokollet e sigurisë dhe reciton njëlloj këshilla krejt banale, duke i paraqitur si “punë” të dikasterit të saj.

As edhe një fjalë se cfarë ka bërë konkretisht, qëkur mori miratimin e parlamentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e shtyrjen e saj!!! Sa është totali i personelit të infektuar dhe shpërndarja e tyre? Cfarë masash po merren në QSUT, ku tashmë janë 7 shërbime të infektuara? Si është situata e infektimit në institucionet më të larta, kryeministri e ministritë e drejtori të tjera, si ajo e doganave psh? Cfarë masash konkrete janë marrë?

A janë identifikuar përgjegjësit, sipas vetë aktit normativ, që qeveria e përdor për qytetarët e bizneset? Si është gjendja e pajisjeve mjekësore për personelin mjekësor e atë mbështetës? Po gatishmëria me respiratorë, nëse ka rritje të shtrimeve për shkak të Covid? Sa fonde janë përdorur nga buxheti i shtetit, që prej identifikimit të prezencës së Covid-19, e si është shpërndarja e tyre? Sa janë donacionet nga BE e vende të tjera, e si do përdoren ato?

Ogerta natyrisht nuk trajtoi asnjë prej këtyre cështjeve, edhe pse cdo veprim që kryen, përfshi tenderat sekretë, i bën falë dritës jeshile që i ka hapur parlamenti dhe shefi i saj. Kjo tregon edhe komoditetin anormal që kryeministri ka në institucionin që e kontrollon, parlamentin: socialistët i ka në rresht me urdhër partie, ndërsa ata që i thonë vetes opozitë, ose nuk kuptojnë rolin e tyre, ose thjesht janë pjesë e të njëjtit rresht.

Në fakt, Taulant Balla u ankua në emër të tyre nga foltorja e kuvendit, e asnjëri nuk pati as vërejtje, njëlloj si për Ogertën! As për kuriozitet krejt personal, se cfarë ndodh me taksat e shqiptarëve në këtë kohë pandemie, ku qeveria ka marrë fuqi të jashtëzakonshme! As relator për një akt normativ që parashikon masa administrative, sic e parashikon rregullorja e kuvendit, e as pyetje, qoftë edhe sa për formë! Thjesht duartrokitje, stili i preferuar i Edi Ramës, në sfondin e kurbës së dhëmbëzuar, me të infektuarit, ditë pas dite!