48 raste të reja me Covid-19, zgjerohet harta e të prekurve

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar shifrën më të lartë të të infektuarve me koronavirus që prej nisjes së pandemisë, 48 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit. Është rritur edhe numri i pacientëve të shtruar në spital, 52 të shtruar, nga të cilët 7 janë në terapi intensive dhe 1 i intubuar.

Deklarata e plotë
Dr. Flutura Beqo
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend në 24 orët e fundit. Kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, hetimi dhe gjurmimi aktiv i rasteve në terren.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 nga të cilat janë konfirmuar 48 raste pozitive, kontakte të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka shumë të reja në proces hetimi në Tiranë, Krujë, Fier, Durrës, Kamëz.

Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 2 Lezhë, 2 Pukë, 3 Kamëz, 1 Gjirokastër, 1 Elbasan.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 5 qytetarë dhe aktualisht më shumë se 70% e të prekurve që nga fillimi i epidemisë janë shëruar.

Por vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv. Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 52 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive dhe një i intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 389 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Ditët e fundit është vënë re rritje e numrit të rasteve në disa aktivitete biznesi, në institucione të ndryshme, në pjesëmarrje në ceremoni mortore dhe grumbullime.

Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara: distancën fizike, përdorimin e maskave në shërbim dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, higjienën personale, dezinfektimin e ambienteve, ajrosjen e tyre, në menyrë që të kufizohet përhapja e COVID-19.

Inspektorët e Task-Forcës anti-Covid do të vijojnë kontrollet në çdo subjekt, në institucione apo biznese tregtare të çdo lloji, për zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Do të vijojë bashkëpunimi me forcat e rendit për kontrollin e vazhdueshëm  për zbatimin e karantinës të qytetarëve të konfirmuar pozitive që janë pa shenja dhe që duhet të respektojnë detyrimin për të qëndruar të izoluar.

Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh.

Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19.

COVID-19 – Statistika (13 Qershor 2020)
Testime totale- 20132
Raste pozitive- 1464
Raste të shëruara- 1039
Raste aktive- 389
Humbje jete- 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë- 220
Shkodër- 45
Krujë- 40
Kamëz- 26
Durrës-19
Pukë-9
Lushnje-6
Vlorë-6
Elbasan-4
Lezhë-3
Fier-3
Tropojë-2
Korçë-1
Librazhd-1
Mallakastër-1
Berat-1
Ura Vajgurore-1
Gjirokastër-1