Protesta e maturantëve, Boçi: Sinqeriteti i maturantëve përballë harbutërisë së Ramës!

Luçiano BOÇI

Si në asnjë vend dhe në asnjë rast në historinë e demokracisë, maturantët 18-vjeçarë shqiptarë zbresin në shesh për protestë!

Kjo nuk është thjesht dhe vetëm çeshtje testi mature.

Si gjithmonë, e si çdo vit testi ishte i paqartë, jo profesional, jashtë informacioneve e modeleve të dhëna e të orientuara.

Ai përsëri si çdo vit, doli sheshit dhe pushtoi faqet e fcb-së dhe rreshtat e ëhat’s up.
Kjo është çështje e një zemërimi të akumuluar me kohë.

Është një situatë e pazakontë, e prodhuar nga revolta që ka ngjallur RAMAVIRUSI, me mënyrën e tij harbute të qeverisjes dhe Ministrja e tij – aksesor paaftësie, paditurie, papërgjegjshmërie.

Maturantët janë në një revoltë të sinqertë e të vërtetë, sepse:

– Rama i ushqeu për tre muaj me rradhë me një mësim online katrahurë, çorbë, kaotik dhe aspak efikas dhe pothuaj inekzistent në pjesën më të madhe të vendit. Pa platforma të investuara e të dedikuara. Pa internet dhe pa pajisje të përshtatshme, megjithëse janë shpenzuar miliona euro të cilat rezultojnë të grabitura.

– Rama i la ata dhe familjet e tyre pa mbështetje reale financiare, duke i braktisur në fatin e tyre të mbrapshtë.

– Rama i mashtroi nëpërmjet Shahinit, duke i nanurisur atyre një maturë shtetërore në kufijtë e arsyes e dijes së transmetuar, porse e realizoi si një procesion ekzekutimi të dijes dhe meritës së nxënësve.

– Rama si në asnjë vend tjetër, i përdori maturantët si kavie eksperimentale, duke i hedhur toptan në mes të pandemisë, duke rrezikuar jetët e tyre në klasa e shkolla jashtë standarteve evropiane të shkollave të shëndetshme e duke i lënë të bredhin kilometra larg, pa transport, për të arritur në vendin e rrezikut.

– Rama, pasi i vuri nën presionin e stresit të shumëfishtë ekonomik e arsimor, si në asnjë vend tjetër, i detyroi të futen në një garë mature krejt fallco, me dije të ndërprera, pa rregulla e administrim, ku maturantët iu nënshtruan një diskriminimi permanent, sipas bindjes politike, apo sipas territorit

– Rama zhvlerësoi dhe shkeli me këmbë çdo investim e sakrificë të tyre me një maturë të shtrembëruar dhe të pa vlerë.

– Rama i ka mbyllur atyre sot portat e së ardhmes dhe i ka marrë peng shpresën, për të jetuar me dinjitet në këtë vend.

Padrejtësitë ndaj tyre u bënë mal e kaluan çdo kufi.

Sikurse të gjithë shqiptarët sot edhe maturantët e dinë mirë që çelësi i së mirës së tyre është shporrja e RAMAVIRUSIT.

Qytetarë, mbështesni zërin e fëmijëve tuaj!