Zonja Coca Cola në lagjen time!

Nga Albert AVDULI

Im vëlla e kaloj kufirin për Greqi, vetë i tretë shok, në janar 1991.
7 muaj pa komunikim dhe pa dijeni ku ishin.
Në korrik martohej motra. Data ishte caktuar pa ikur dhe ai e dinte.
Shokët dhe të njohurit tanë, që iknin dhe vinin, kur kufiri u lirua disi, nuk sillnin asnjë lajm.
Ankthi na kishte përfshirë të gjithëve.

Nëna e kishte degdisur gjumin në male, ishuj apo qytete, emrin e të cilave s’e kishte dëgjuar kurrë.

Jo vetëm gjumin. Edhe zemra e saj vraponte nëpër lumenj e fshatra të vendit fqinj.
Dasma do të bëhej javën e tretë të korrikut.
Deri atëhere, kthimi i asaj date ishte tabu.
Pothuajse kishim mbaruar pregatitjet paraprake.
Siguruar mishi, rakia, ndonjë shishe verë. Birra ishte ende mall i rrallë për pjesëmarrje të madhe.

Nja dy shishe liker e ponçë ishin gjetur për të qerasur zonjat.
Bijat dhe vajzat e vëllazërisë kishin lyer me gëlqere çdo cep muri.
Java na ndante nga e diela e ceremonisë.
Mesditën e të dielës pararendëse, një veturë u fut në lagje me buri takuar.
Ata erdhën. Im vëlla me dy shokët e tij.

Nuk po përcjell emocionet dhe atmosferën e krijuar se duhen faqe të tëra.
Për gjithë ato muaj, kishin qenë në një nga ishujt më të largët të Greqisë.
Asnjë mundësi për të dërguar lajm se ishin gjallë.
Djemtë u shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre.
Im vëlla, hap çantat. Dhurata për motrën e për secilin.

Duhet të kujtoj se atëhere, dhuratë e shtrenjtë konsiderohej një bluzë, xhinse, çorape, por jo pa vlerë edhe një orë elektronike, medaljon për mbajtëse çelsash apo prerëse thonjësh.
Çanta e madhe kishte “zairetë”.
Si qershia mbi tortë krekosej shishja e wiskit dhe dy shishe uzo.

Dy bidona cola, dy portokallada dhe disa kanaçe cola, fanta, ivi dhe zup (kështu i quanim). Për një plastikë të tillë desh më kish mbytur Vjosa dikur. E kujtoj mirë atë rast. Nëntor. Shirat e para të rrëmbyeshëm.
Vjosa sillte nga Konica mori mbetjesh e rrugës shqiptare mblidhte trungje.
Ma zuri syri, përmbi valën e tërbuar, atë plastikë.
Një trofe që s’duhej lënë ta merrnin djemtë e tjerë gjahtarë të lumit.

Notova fort. E kapa, por një trung më godet dhe veten e shoh të zhytur në valën e turbullt.
Qëllimet u bënë dy, jeta dhe bidoni.
Dola në zallishte dhe i kisha të dyja.
Rikthehem tek ekspozita greke.
Disa pako kafe, biskota dhe qeskat me karamele. O sa të bukura ishin, sa të bukura. Më tepër edhe se karamelet “Zana” që nëna i kish fshehur në sirtar.

Zhgënjyese ishte shkrirja e çokollatave, por gjithësesi kishte plot të tjera.
Një thesar i tërë, pra.
E të nisin vizitat. . .
Ishte kthyer biri nga kurbeti.
Grupe grash që hynin e dilnin.

Mbasi puthnin në dy faqet protagonistin, zinin vend e nisnin urimet pa fund.
Qerasja si proces ishte risi.
Në gota të vogla rakie hidhej coca cola. Nëna pyeste tim vëlla se mos helmoheshin mysafiret.
Vihej në buzë, e shijshme, aromatike, e re.

Qyqja moj gra, se mos na zë kjo gjëja, se mos është me drogë kjo pija amerikane.
Kur dilnin, marramendeshin nga idea se ishin droguar.
Një grup ikte, tjetri vinte.
Burrat në oborr pinin nga një gotë uzo.
Wiski do ruhej për të dielën, kur të vinin krushqit.

Teksa shijonin uzon greke, arritën në përfundimin se uzo e vendit ishte më e mira.
Ishte pa hile, jo si ato të jashtmet.
Oborri po gumëzhinte nga fëmijët. Ata e fshihnin rrufeshëm karamelen që u jepej në dorë, por nuk largoheshin.

Duam të provojmë coca cola amerikane. E shqiptonin, kështu si po e shkruaj.
Në të njëjtat gota të vogla rakie, im vëlla ju hedh nga pak fanta. Sa e provonin, jo, jo, nuk duam arançata, duam coca cola.

Ky ishte prezantimi i parë i znj.Coca Cola në lagjen time.
E mistershme dhe autoritare si çdo amerikan.
Injoranca dhe varfëria jonë emblematike.