Rënia e statujave në Perëndim dhe kulti i individit në Tiranë

Nga Ilir NIKOLLA

Opinioni publik në Evropë dhe SHBA është tronditur këto ditë nga orientimi i protestave për barazi sociale e raciale drejt një lëvizjeje për revizionimin e të gjithë historisë së Perëndimit. Viktima të këtij revizionizmi kanë rënë simbole të Perëndimit si Kristofor Kolombi, statujat e të cilit po kërkohet të largohen nga sheshet e qyteteve kryesore të SHBA-së, kurse filmi-kult “Bashkë me erën” u hoq këto ditë nga portofoli i rrjetit televiziv HBO, sepse qenka një himn për shoqërinë raciste të SHBA. Në Evropë po kërkohet të lahen hesapet me simbole të kapitalizmit në Britaninë e Madhe, ndërsa në Itali, protestues të pilotuar po kërkojnë çuditërisht largimin e statujës së Indro Montanellit nga Milano.

Ky revizionizëm që ka përfshirë Perëndimin nuk e lë dorëjashtë edhe Shqipërinë.
Por si gjithmonë, zhvillimet tek ne marrin një drejtim të vonuar dhe me kosto gjithmonë e më të larta. Në Tiranë jemi akoma në fazën e ngritjes së kultit të individit, në fazën e ngritjes së statujave të regjimit, si një avatar i kullave dhe i instalimit të egër të oligarkisë.

Në Tiranë po ngremë këto ditë këngë për suksesin e Edi Ramës në marrjen e qindra milionë eurove të tjera borxh, në Tiranë po arrijmë të bëjmë propagandë pozitive edhe për përmbytjen e Parkut Rinia, duke e paraqitur atë si një arritje që u zë sytë nihilistëve, në Vlorë, në Shkodër e në Elbasan po arrijmë të imponojmë narrativën se situata e sigurisë është nën kontroll, pasi s’ka asgjë për t’u shqetësuar, sepse thjesht po ndodh një ndryshim drejtimi tek grupet më të mëdha kriminale që kontrollojnë qytetet.

Kjo propagandë inkuadrohet e gëlon në suazën e ngritjes së kultit të individit të kryeministrit, si i vetmi njeri që mund ta bëjë zap këtë vend e që për këtë meriton pushtetin, të paktën deri në 2030-n. Këtij kulti i drejtohet opozita buratine në parlament, për mandate deputeti në legjislaturën e ardhshme, atij i luten oligarkët për pasuritë e bregut të Jugut, bile tek ai të çojnë edhe fijet që kërkojnë privatizimin e pasurive arkeologjike, nën emrin e “vetëadministrimit” të qytezave “greke”, “romane” a “bizantine”.

Hallet e Shqipërisë lidhen me revizionimin e përgjithshëm që po synohet të kryhet në Perëndim, veç kur vjen puna për të na pasuar kostot. Skllavëria moderne në Britaninë e Madhe ka si protagoniste të dorës së parë shqiptarët, të cilët janë të padukshmit që kultivojnë lëndë narkotike, me një kosto skandalozisht të ulët të jetës. Vit pas viti shqiptarët janë në krye të listave që Britania publikon si kategoritë që furnizojnë skllavopronarët e rinj.

Këto kosto shtesë marrin në Tiranë trajtat e përçudnuara që i interesojnë superstrukturës që po ngre kultin e individit të kryeministrit. Kështu azilantët e panumërt në dyert e Evropës janë thjesht tregues i lirisë së lëvizjes, marrja e borxhit që shtyn drejt skllavërisë edhe brezat e ardhshëm është tregues i kompetencës në qeverim, kurse përvjetori i rënies së simbolit kryesor të Perëndimit, Kostandinopojës, një ëmër-blatim i perandorit me origjinë ilire, shndërrohet në një nderim shqiptar për pushtuesin e qytetit.

Revizionizmi oksidental, sado i egër qoftë, po na nxjerr edhe njëherë si të vonuar. Ne po rreshtohemi në radhën e mohuesve, po u biem hasha kontributeve tona dhe po shfaqemi si ithtarët e skllavërisë moderne. Post-covid-i po e orienton botën drejt një revizionimi të egër të pabarazive shoqërore, ndërkohë që në trojet tona jemi shumë të shqetësuar për ngritjen e kultit të individit. Dihet se rënia e statujave nuk parathotë edhe ndryshimin e shoqërive (e pamë në Irak me rrëzimin e statujës së Sadam Huseinit), por në shoqëritë moderne kaq interaktive, të rreshtohesh me vullnet në llogoret e kultit të individit, sjell me vete kosto mjaft të rënda.

Kur shohim se rrëzohen statuja në SHBA, Londër a Milano s’do të thotë se ngjarjet janë një trill perëndimor që s’na përket. Ato janë tregues i një krize të përgjithshme, e cila pason tek ne kosto shtesë. Këto kosto mund të mbulohen për pak kohë nga superstrukturat që po ngrenë kultin e individit të Edi Ramës, por historia na mëson se vonesat gjithmonë prodhojnë zgjidhje, duke rritur koeficentin e egërsisë. Parë në këtë këndvështrim, qendrimi dorëjashtë i shqiptarëve nga kjo lëvizje globale është një lajm i keq për ata që po nanuriten nën tingujt që lëshon paradhoma e “faraonit”.